Gjoni theksoi se kjo situatë është parashikuar që prej ditës së hënë nga institucionet shqiptare dhe nuk është e nevojshme që qytetarët të presin informacione nga specialistët e vendeve fqinje.
“Këtë gjë e kemi njoftuar prej të hënës. Presim që ky mot të na shoqërojë gjatë fundjavës. Nuk është se presim të na informojnë homologët në vendet fqinje. Presim mot me stuhi, reshje mesatare dhe intensive në disa qarqe, në formën e shtrëngatave. Duhet përmendur se në zonat malore priten reshje dëbore deri në lartësitë 800 metra,” – deklaroi ajo.
Ekspertja paralajmëroi gjithashtu për mundësi përmbytjesh në disa zona urbane për shkak të intensitetit të reshjeve dhe shtrëngatave.
“Mund të kemi vërshime të ujit në qytete si Durrësi, Vlora, Berati, Gjirokastra dhe Kukësi,” – shtoi Gjoni.
Sipas saj, edhe era do të jetë problematike, me intensitet që do të variojë nga mesatar në të fortë, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme – me minimumet që pritet të zbresin deri në 7°C dhe maksimumet që nuk do të kalojnë 16°C.
“Ditët më kritike do të jenë e enjtja dhe e premtja, kur reshjet do të jenë më të theksuara. Të shtunën pritet që situata të përmirësohet dhe reshjet të ndërpriten,” – përfundoi Gjoni.
Be First to Comment