Deklarata gjithashtu duket se konfirmon raportimet se liderët politikë i kanë urdhëruar IDF-së të ndalojë ofensivën për marrjen e qytetit të Gazës dhe në vend të saj të përqendrohet në operacione mbrojtëse, duke theksuar se “siguria e forcave tona është me rëndësi supreme dhe të gjitha kapacitetet e IDF-së do t’i caktohen Komandës së Jugut për mbrojtjen e trupave tona”.
“Shefi i shtabit theksoi se, për shkak të ndjeshmërisë operative, forcat duhet të tregojnë një gatishmëri dhe vetëdije të shtuar. Po ashtu, u theksua nevoja për një reagim të shpejtë për të neutralizuar çdo kërcënim”, shtohet në deklaratë.
Kjo informatë vjen pas një video-mesazhi të presidentit amerikan, Donald Trumpit, në të cilin ai i ka dërguar një thirrje Izraelit që të ndalojë bombardimet në Gazë, pasi që Hamasi ka pranuar propozimin e presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
Radioja ushtarake izraelite raportoi se urdhri kërkon që operacionet të reduktohen në minimum, dhe që trupat në terren të kryejnë vetëm të ashtuquajturat “manovra mbrojtëse”.
Ky urdhër u dha pas bisedimeve gjatë natës midis zyrtarëve izraelitë dhe atyre amerikanë. /Telegrafi/
Be First to Comment