Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Suedisë, që ka vizituar Thunberg në qeli, ka raportuar në institucion se ajo ajo është mbajtur në një qeli të infektuar me morra, me mungesë të ujit dhe ushqimit, si dhe nën “trajtim të ashpër fizik dhe psikologjik”, raporton The Guardian.
“Greta është dehidratuar dhe ka marrë sasi të pamjaftueshme uji dhe ushqimi. Ajo tha se kishte zhvilluar irritime në lëkurë që dyshon se janë shkaktuar nga morrat,” thuhet në emailin e zyrtarit suedez.

Akuza për poshtërim publik
Një tjetër dëshmitar, gjithashtu i ndaluar, ka raportuar se forcat izraelite e kanë detyruar Thunberg të mbante flamuj ndërsa i bëheshin fotografi.
Dëshmitarë të tjerë nga flotilja kanë pohuar se aktivistja 21-vjeçare është tërhequr zvarrë dhe goditur nga ushtarët izraelitë, ndërsa është detyruar të puthë një flamur izraelit, një akt që, sipas tyre, synonte “të dërgonte një mesazh frikësimi për të tjerët”.
Ersin Çelik, aktivist turk pjesëmarrës në flotilje, i tha agjencisë Anadolu se “e panë Greten tërhequr zvarrë nga flokët dhe të detyruar të përkulet para flamurit”.
Ndërsa gazetari italian Lorenzo D’Agostino, që gjithashtu ishte pjesë e flotiljes, deklaroi se ajo u “mbështoll me flamurin izraelit dhe u paraqit si trofe”.
Burgosje masive në shkretëtirën Negev
Thunberg ishte një nga 437 aktivistë, parlamentarë dhe avokatë nga më shumë se 40 anije që përpiqeshin të transportonin ndihma humanitare në Gaza. Të gjithë u ndaluan nga marina izraelite mes të enjtes dhe të premtes, dhe shumica ndodhen në burgun me siguri të lartë Ketziot (Ansar III) në shkretëtirën Negev, një institucion që zakonisht përdoret për të burgosur palestinezë të akuzuar për aktivitete militante.
Organizata Adalah, që përfaqëson ligjërisht disa nga të ndaluarit, deklaroi se të drejtat e tyre janë shkelur sistematikisht, me refuzim për ujë, ushqim, mjekim dhe qasje te avokatët.
Sipas ekipit ligjor italian që mbron anëtarët e flotiljes, të ndaluarit “u lanë pa ushqim apo ujë për orë të tëra, me përjashtim të një pakete patatesh të kripura të dhëna Gretës përpara kamerave”.
Heshtje nga autoritetet izraelite
Sipas The Guardian, kërkesat për koment drejtuar Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Forcave të Mbrojtjes (IDF) dhe Ministrisë së Jashtme nuk morën përgjigje.
Ndërkohë, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, gjatë një vizite në portin e Ashdod, i quajti aktivistët “terroristë të flotiljes”, duke deklaruar në hebraisht “Këta janë terroristët që përpiqen të çajnë bllokadën tonë.”
Reagim nga Suedia
Ministria e Jashtme e Suedisë konfirmoi se zyrtarët e ambasadës kanë vizituar nëntë shtetas suedezë, përfshirë Thunbergun, dhe janë në kontakt me autoritetet izraelite për të kërkuar kushte humane, qasje ligjore dhe kthim të sigurt në atdhe.
“Është thelbësore që të sigurohet ushqim, ujë i pastër dhe kujdes mjekësor për të ndaluarit” thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës suedeze në Tel Aviv.
Ky është arrestimi i dytë i Greta Thunberg gjatë një përpjekjeje për të çarë bllokadën e Gazës. Aktivistja e njohur ndërkombëtarisht për kauzën mjedisore mbetet aktualisht në paraburgim në pritje të një vendimi për deportim.
Be First to Comment