Skip to content

Përshkallëzimi i sulmeve nga Izraeli vjen ndërsa Egjipti përgatitet të presë delegacione nga Hamasi, Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, për të nisur bisedimet mbi zbatimin e planit më të avancuar deri më tani për të ndalur konfliktin.

Hamasi pati një reagim pozitiv ndaj planit të Trump të premten, duke deklaruar se pranon disa pika kyçe të propozimit me 20 pika, përfshirë ndalimin e luftës, tërheqjen e Izraelit dhe lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, grupi ka lënë disa çështje për negocim të mëtejshëm, përfshirë edhe pyetjen e rëndësishme nëse është i gatshëm të çarmatoset, një kërkesë themelore e Izraelit për t’i dhënë fund luftës.

“Përparimi do të varet nëse Hamasi do të pranojë hartën, sipas së cilës ushtria izraelite do të mbetet në kontroll të pjesës më të madhe të Rripit të Gazës,” tha për Reuters një zyrtar palestinez i përfshirë në bisedime.

“Hamasi mund të kërkojë gjithashtu një afat të qartë për tërheqjen izraelite nga Gaza. Faza e parë e bisedimeve do të përcaktojë se si do të ecet më tej.”

Në qytetin e Gazës, që Izraeli e përshkruan si një nga bastionet e fundit të Hamasit, forcat izraelite vazhduan ofensivën dhe paralajmëruan banorët që kishin ikur të mos kthehen, duke e cilësuar zonën si “fushë beteje të rrezikshme.”

Të dielën, dëshmitarët thanë se avionët izraelitë intensifikuan sulmet në të gjithë qytetin, qendra më e madhe urbane e Gazës. Kjo pasoi një natë të tensionuar ku dronët hodhën granata mbi çatitë e ndërtesave dhe trupat tokësore shpërthyen automjete të ngarkuara me eksploziv, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi në lagjet Sabra dhe Sheikh Radwan.

“Ku është Trump?”

“Ku është Trump në të gjithë këtë?”, pyeti Rami Mohammad-Ali, 37 vjeç, banor i qytetit të Gazës, aktualisht i zhvendosur në perëndim të qytetit, pranë bregut.
“Shpërthimet nuk ndalen, dronët hedhin bomba kudo, sikur s’ka ndodhur asgjë. Ku është armëpushimi për të cilin foli Trump?”, shtoi ai.

Autoritetet lokale shëndetësore konfirmuan se të paktën një palestinez humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën në këto sulme. Tre persona të tjerë u vranë në sulme të ndara izraelite në zona të tjera të Gazës, sipas mjekëve.

Amjad Al-Shawa, drejtues i Rrjetit të OJQ-ve palestineze që bashkëpunon me OKB-në dhe organizatat humanitare ndërkombëtare, tha për Reuters se qyteti i Gazës po përballet me mungesë të theksuar të ushqimit dhe karburantit, disa ditë pasi Izraeli bllokoi rrugët nga jugu në veri.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *