Sipas informatave të Gazetës Sinjali, rasti është raportuar më 18 tetor 2025, rreth orës 10:30, në Stacionin Policor të Prizrenit, nga nëna e vajzës, A. Buduri rreth 37-vjeçare, e cila ka deklaruar se vajza e saj A.K. rreth 15-vjeçare është larguar nga shtëpia më 15 tetor, rreth orës 12:00, dhe që nga ajo ditë nuk dihet vendndodhja e saj.
Në momentin e largimit, e mitura ka qenë e veshur me bluzë të zezë, pantallona të zeza (farmerka) dhe patika të bardha, me floktë dhe sytë ngjyrë kafe, dhe është e gjatë rreth 1.70 metra.
Nëna e vajzës ka deklaruar se vajza është larguar edhe më herët nga shtëpia, por zakonisht ishte kthyer pas një kohe të shkurtër.
Kësaj here, ajo nuk është kthyer dhe familja ka humbur çdo kontakt me të.
Në vendngjarje ka dalë njësia patrulluese ndërsa rasti është marrë nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor Prizren, në koordinim me Prokurorin Kujdestar të Shtetit.
Policia po punon për gjetjen dhe kthimin e saj në familje.
Be First to Comment