Në një deklaratë zyrtare, ministria theksoi se këto veprime përbëjnë “shkelje të hapur dhe të papranueshme” të marrëveshjes së armëpushimit që ishte arritur më herët mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas.
Sipas deklaratës, Ankaraja është thellësisht e shqetësuar nga raportimet që tregojnë për viktima mes civilëve palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të fundit.
“Të gjitha palët duhet të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit dhe të përmbahen nga çdo akt që mund të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon,” thuhet më tej në njoftim.
Turqia ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat përkatëse që të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar zbatimin e plotë të armëpushimit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Turqia, e cila prej kohësh mban një qëndrim të fortë në mbështetje të çështjes palestineze, ka përsëritur thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe rifillimin e dialogut politik si e vetmja rrugë për arritjen e paqes së qëndrueshme. /Telegrafi/
Be First to Comment