Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur gjatë kohës së drekës në fshatin Shkallnur, pas një debat banal, ku djali është nervozuar pasi – siç ka deklaruar vetë – “babai nuk e linte të hante i qetë”.
“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai më turr. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme,” – ka thënë autori gjatë dëshmisë së tij në polici.
Marjan Kodheli ishte kthyer nga Greqia rreth gjashtë muaj më parë, pas disa vitesh emigrimi. Ai ka treguar se prej disa kohësh ishte i papunë dhe jetonte me prindërit, duke pasur konflikte të vazhdueshme me të atin.
Sipas dëshmisë, pas një momenti nervash, ai ka marrë thikën nga tryeza dhe e ka goditur të atin, duke i shkaktuar plagë të rënda që i sollën vdekjen e menjëhershme.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka arrestuar autorin, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet e tragjedisë që ka tronditur familjen Kodheli dhe gjithë komunitetin e zonës.
Be First to Comment