Data 1 janar, nisi me një lajm të trishtë. Tre të rinj humbën jetën nga një aksident i rëndë në aksin Gjirokastër-Tepelenë.
Viktimat janë Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, Klejdi Myftari, 24 vjeç dhe Martin Dulaj, 25 vjeç.
Anxhelo Ruçi udhëtonte në një Volksëagen me targa AB 797 VP së bashku me Klejdi Myftarit. Përplasja e fortë me një Mercedes Benz, në të cilin udhëtonte Martin Dulaj, rezultoi fatale për të tre të rinjtë, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Në të njëjtin automjet me Martin Dulajn udhëtonte edhe e fejuara e tij, Ardisa Demiri, 19 vjeçe, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Sipas burimeve mjekësore, gjendja e saj është e rëndë, por parametrat jetësorë janë të qëndrueshëm dhe po mbahet nën monitorim intensiv. Për shkak të politraumës, ajo ende nuk konsiderohet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa këtë të premte, 2 janar 2026 në orët e para të mëngjesit, një tjetër aksident do të rëndonte bilancin e viktimave.
Nga përplasja e dy mjeteve, kanë humbur jetën çifti i bashkëshortëve, Petrit dhe Elona Florini 53 vjeç dhe 45 vjeç.
Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar edhe tre pasagjerë që ndodheshin në automjetin tjetër, konkretisht bashkëshortja e drejtuesit F. L. dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 6 dhe 2 vjeç. Sipas mjekëve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa pak orë më pas, një tjetër lajm tragjik tronditi opinionin publik. Rreth orës 13:30, Policia ka marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesën e saj.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se viktima, shtetasja Sose Xhebro, 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Llogora Xhebro., 50 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth banesës, në garazh është gjetur autori i dyshuar, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në dy ditët e para të këtij viti, bilanci i aksidenteve ka qenë i lartë, ku disa persona kanë mbetur të lënduar.
Në rrugët e Qarkut të Lezhës, ku një autobus ka dalë nga rruga në segmentin e Rrugës së Kombit. Sipas informacioneve të para, nga aksidenti dyshohet të ketë disa të plagosur.
Ndërsa në Rrugën e Kombit, 4 makina janë përplasur me njëra-tjetrën, ku 2 persona kanë mbetur të lënduar. Shkak sipas autoriteteve, është bërë moti i keq dhe prezenca e akullit në rrugë.
Në kushte të vështira atmosferike që kanë përfshirë vendin këtë të premte, autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të ecin me kujdes, me shpejtësi të moderuar dhe të pajisur me zinxhira, nëse udhëtojnë në zona ku ka prani të akullit dhe dëborës./vizionplus.tv
Be First to Comment