Sipas Kurtit, thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. Ai ka theksuar se UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse, e zhvilluar në rrethanat e okupimit të egër dhe të dhunës që po shndërrohej në gjenocid shtetëror.
“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, tha Kurti.
Ai ka bërë të qartë se UÇK-ja nuk ka pasur plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se kërkesa e Hagës injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.
“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë”, tha Kurti, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre. /Lajmi.net/
Be First to Comment