Skip to content

Në Mal të Zi, krimi i organizuar po merr përmasa gjithnjë e më brutale, dhe rasti i fundit i zbuluar nga mediat vendase mbi fenomenin e zelenašenjes (fajdeve), përfaqëson një realitet të errët dhe të rrezikshëm për rendin publik dhe shoqërinë në tërësi. Fjala është për një rrjet kriminal të strukturuar që operon prej vitesh në zonën e Tuzit dhe Podgoricës, me metoda që tejkalojnë kufijtë e çdo norme njerëzore apo ligjore: rrahje brutale, thyerjeve të kockave, prerje të veshëve, dhunim, shantazh seksual dhe frikësim ekstrem; janë vetëm disa nga mekanizmat e kontrollit dhe pagesës që ky grup përdor për të mbledhur borxhet e veta.

Ky nuk është më një rast i izoluar, por pjesë e një fenomeni të përhapur në të gjithë rajonin e Ballkanit, ku struktura kriminale, me lidhje shpeshherë në politikë, polici apo në biznes, përdorin forma të dhunshme për të ushtruar presion mbi individët më të dobët të shoqërisë, zakonisht njerëz që për arsye varfërie, sëmundjesh apo papunësie, futen në kurthin e huamarrjes me kamatë të lartë.

Në rastin konkret, të publikuar nga “Vijesti”, grupi që drejtohej nga vëllezërit Dreshaj kishte shndërruar aktivitetin e vet në një industri të dhunës dhe shfrytëzimit, ku jo vetëm kërkohej kthimi i borxhit me kamatë të fryrë në mënyrë të paligjshme, por në disa raste, sipas dëshmive, u kërkua seks në vend të kësteve të papaguara, shpesh duke shantazhuar edhe anëtarët e familjes së borxhlinjve.

Institucionet shtetërore malazeze kanë dështuar të ndalojnë këtë fenomen. Policia dhe prokuroria nuk kanë ndërmarrë veprime të forta për vite me radhë, ndërkohë që shumë prej viktimave nuk guxojnë të denoncojnë, të frikësuar nga hakmarrja dhe mosbesimi tek drejtësia. Ky boshllëk institucional e ushqen edhe më shumë sistemin paralel të “drejtësisë së mafies”, ku krimi vendos rregullin e vet, ndëshkon, kërcënon dhe sundon.

Fenomeni i zelenašenjes (fajdeve) nuk është vetëm problem penal, por është një pasqyrë e një sistemi të kalbur social dhe ekonomik, ku njerëzit janë të lënë në mëshirë të fatit, pa akses në kredi bankare, pa ndihmë sociale, pa shpresë. Dhe në këtë klimë, klanet kriminale ofrojnë “zgjidhje të shpejta”, por me një çmim që rrënon jetën njerëzore. Nuk është rastësi që këto rrjete funksionojnë më së shumti në rajone me komunitete të margjinalizuara, me prani të ulët të shtetit dhe me ndikim të lartë të lidhjeve fisnore apo klanore, që e bëjnë edhe më të vështirë ndarjen e shoqërisë nga krimi.

Kjo situatë në Mal të Zi ka jehonë të drejtpërdrejtë edhe për Shqipërinë. Kufiri i hapur, rrjetet ndërkufitare kriminale dhe modeli ekonomik i një Ballkani që ecën mbi themele të dobëta shtetformuese, e bëjnë krimin e organizuar një problem rajonal. Shqipëria nuk është e përjashtuar nga fenomeni i huamarrjes me kamatë dhe presionit të paligjshëm mbi qytetarët në nevojë. Por ajo që ndodh në Mal të Zi, përdorimi i seksit, torturës dhe frikës si monedhë e një ekonomie paralele kriminale, përbën një alarm që nuk duhet neglizhuar.

Në vend që të trajtohen si raste kronike periferike, këto fenomene duhen hetuar si strukturë e përhershme e krimit të organizuar, që mbijeton nga dobësia e shtetit dhe nga heshtja e shoqërisë.

Media, si në rastin e gazetës Vijesti, po luan një rol jetik në ekspozimin e këtyre krimeve; por kjo nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me veprim të drejtpërdrejtë të organeve të ndjekjes dhe me një politikë të ashpër penale kundër zelenašenjes dhe çdo forme dhune për përfitim financiar.

Në fund, kjo është një luftë mes dy botëve: e ligjshmes dhe e paligjshmes, e shtetit dhe e mafies, e drejtësisë dhe e frikës. Të heshtësh përballë saj, do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor./Pamfleti

Published inLajme Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *