Materialet janë pjesë e një serie më të gjerë ku Edmonds flet hapur për lidhjet mes krimit të organizuar, politikës dhe projekteve ndërkombëtare, duke sjellë një këndvështrim që nuk ka gjetur hapësirë në median tradicionale.
Në rrëfimin e saj, Shqipëria nuk përshkruhet si një vend ku krimi i organizuar vepron paralelisht me shtetin, por si një rast ku krimi është i integruar brenda vetë strukturës shtetërore. “Shqipëria ka qenë, veçanërisht që nga viti 1992–1993, një shtet narkotik mafioz. Po flas për politikën. Nuk flasim për disa ministra të infiltruar. Është e gjithë qeveria,” deklaron Edmonds.
Sipas saj, politika shqiptare nuk përmban ishuj të izoluar rezistence ndaj krimit. Rrëfimi shkon më tej, duke pretenduar se nuk ekziston asnjë figurë politike, nga deputetët te drejtuesit e administratës, që të mos jetë e integruar në këtë sistem. “Ju nuk do të gjeni asnjë deputet apo drejtor departamenti që nuk është pjesë e shtetit mafioz. Përndryshe nuk do të kishin asnjë pozicion,” thotë ajo, duke e përshkruar këtë si një mekanizëm përjashtues ndaj kujtdo që nuk pranon të jetë pjesë e strukturës.
Në këtë kuadër, Sibel Edmonds ndalet te evolucioni i mafies shqiptare që nga vitet ’90. Ajo përshkruan një transformim të shpejtë nga banda të dhunshme pas rënies së komunizmit në një organizatë kriminale globale, me kontroll territorial, disiplinë të brendshme dhe kapacitete logjistike ndërkombëtare. “Në mesin e viteve 1990, mafia shqiptare la në hije mafien ruse, turke dhe italiane, të gjitha së bashku,” deklaron ajo, duke shtuar se “në gjithë historinë moderne të mafies, nuk ka asgjë si mafia shqiptare”, për shkak të kombinimit të dhunës, pamëshirës dhe sofistikimit operacional.
Rrëfimi e vendos në qendër rolin e mafies shqiptare në tregtinë ndërkombëtare të kokainës. Sipas Edmonds, grupet shqiptare kanë marrë kontrollin e fazës më kritike të zinxhirit kriminal, transportin dhe shpërndarjen. “Kolumbianët prodhojnë, por shqiptarët kontrollojnë lëvizjen,” thotë ajo, duke pretenduar se ky kontroll shtrihet nga Amerika Latine deri në Evropë. Ajo përmend Ekuadorin, Kolumbinë, Brazilin dhe pjesë të Perusë si territore ku shqiptarët kanë ndërtuar dominim operacional.
Në këtë rrjet, portet europiane përshkruhen si nyje kyçe. Edmonds përmend konkretisht Porti i Rotterdam-it dhe Porti i Antwerp-it, duke deklaruar se këto nuk kontrollohen përmes dhunës së hapur, por përmes lidhjeve, korrupsionit dhe mbrojtjes politike. “Ata kontrollojnë dërgesat, nxjerrjen e drogës nga Brazili dhe Ekuadori drejt Evropës. Këtu flitet për ton, jo për kilogramë,” thotë ajo, duke theksuar shkallën industriale të operacionit.
Sipas rrëfimit, lidhjet politike në Tiranë luajnë rol kyç në këtë mekanizëm, duke garantuar pastrimin e parave dhe mbrojtjen e rrjeteve operative. Në këtë pikë, analiza zhvendoset nga trafiku i drogës te vendimmarrja politike dhe projektet strategjike ndërkombëtare. Edmonds ndalet te administrata e Edi Rama, duke pretenduar se infiltrimi i krimit në politikë është strukturor dhe se nuk ka vendimmarrje të madhe që të mos kalojë përmes këtij filtri.
Sazani në hartën e interesave të Kushner dhe Izraelit
Një shembull konkret që ajo përmend është projekti i lidhur me Jared Kushner në Ishullin e Sazanit. Ish punonjësja e FBI deklaron se projekti mori miratimin disa javë pas zgjedhjes së Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara dhe se qeveria shqiptare u afrua jo vetëm nga Kushner, por edhe nga zyrtarë të lartë biznesi dhe qeveritarë izraelitë. “Miratimi fillestar duhej të priste për zgjedhjet e Trump-it. Vetëm pasi Trump u shpall president i zgjedhur, procesi vazhdoi dhe kaloi nëpër miratim parlamentar sa për sy e faqe,” thotë ajo.
Edmonds e përshkruan Sazanin si një projekt që shfaqet publikisht si turizëm, por që sipas saj mbart funksione dhe interesa shumë më të gjera.
“Unë e quaj Ishulli i Satanit i Jared Kushner-it, sepse gjithçka që kam mbledhur dhe dokumentet që kam parë tregojnë se ky projekt është shumë më tepër sesa turizëm,” deklaron ajo, duke paralajmëruar se do të zbardhë elementë të tjerë në vijim.
Kur Sibel Edmonds flet për afrimin e Tiranës me projektin e Sazanit, ajo e bën të qartë se nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie dypalës he mes qeverisë shqiptare dhe Jared Kushner. “Burimet e mia përfshijnë zyrtarë qeveritarë izraelitë dhe njerëz të lidhur me biznesin dhe teknologjinë”, thotë ajo, duke e zgjeruar panoramën përtej një emri të vetëm. Sipas Edmonds, këta aktorë nuk veprojnë si përfaqësues formalë të shtetit, por si pjesë e një rrethi ku ndërthuren kapitali, teknologjia dhe ndikimi politik, me rrënjë në Izrael dhe shtrirje operative në tregje të ndryshme.
Në përfundim, rrëfimi i Edmonds e paraqet Shqipërinë si një rast studimi për mënyrën se si një narko-shtet mund të funksionojë në mënyrë të pranueshme ndërkombëtarisht, pa u shpallur kurrë zyrtarisht si i tillë. Sipas saj, investimet e huaja, projektet strategjike dhe marrëveshjet madhore nuk zhvillohen në një vakuum, por brenda një realiteti ku politika, krimi dhe kapitali operojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm.
Pamfleti do të vijojë publikimin pjesë-pjesë të këtyre materialeve, duke i lidhur me zhvillimet konkrete në Shqipëri, emrat e përfshirë dhe projektet që sot paraqiten si investim dhe zhvillim.
Be First to Comment