Deputeti socialist Petro Koçi është tërhequr nga gara për deputet për zgjedhjet e 11 majit. Ai ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook se do të punojë për fitoren e PS-së, por nuk do të jetë në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë.
Petro Koçi është deputeti i parë socialist i cili deklaron se nuk do të jetë në garën për kandidatë të Partisë Socialiste, pas vendimit se asnjë nga burrat që kishin pasur më herët mandat apo kanë aktualisht mandat deputeti nuk do të jenë në listën e mbyllur, por do duhet të garojnë në listën e hapur.
“Nuk do të jem në listën përfaqësuese te kandidaturave për deputete, jo për ndonjë paburrëri politike, frike dështimi personal apo braktisje te shpirtit te solidaritetit, por sepse ndryshe nga te gjithë ju jam i vetmi qe nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale”,-ka shkruar deputeti.
Postimi i plotë i deputetit Petro Koçi:
E dashur Ogerta, te dashur kolege deputete socialiste te Tiranës tonë,
E kam detyrim automatik moral, politik dhe shoqëror t’ju bej te ditur përcaktimin e qëndrimit tim në lidhje me procesin e emërimit te kandidaturave te partisë tone për deputete;
Unë do punoj me sa me ha krahu dhe kudo me shpien këmbët për fitoren e PS ne zgjedhjet e 11 Majit. Fatmirësisht eci dhe ngjis shkallet me shpejt dhe pa mu marre fryma ne krahasim me dhjetëra te tjerë qe janë ne moshe me te re politike apo biologjike.
Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese te kandidaturave për deputete, jo për ndonjë paburrëri politike, frike dështimi personal apo braktisje te shpirtit te solidaritetit, por sepse ndryshe nga te gjithë ju jam i vetmi qe nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.
Pas një fushate jotregetare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet bashkë me strukturën organizative te zonës e nxorëm Kombinatin te parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% për PS.
Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar sepse problemet madhore te Kombinatit si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo impakti i projekteve madhore te unazës apo te Lanës kërkonin një fuqi ekzekutive te dedikuar dhe kompetente për tua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shume punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do jetë sërish i pari në garën zgjedhore.
Megjithatë ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mos përcaktim të qarte të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin Ëhatsapp të deputeteve. Nuk di nëse kjo situate ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë e fal cdokënd që me apo pa dashje ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje.
I mbetem mirënjohës Edi Rames për riperfshirjen time ne përgjegjësi te larta politike qe mund te mos ndodhte pa tolerancën e tij pas përplasjeve te vitit 2008, një përfshirje qe filloi me mirëpritjen ne mitingjet kundër pushtetit te Berishës pas zgjedhjeve te 2009 es dhe vazhdoi me bashkepunimin e ngushte ne luftën kundër korrupsionit ne protestën e 21 Janarit 2011, me zgjedhjet e vjedhura te Tiranës te atij viti, zgjedhjet e 2013 es e pastaj kulmoi me detyrat e larta te besuara te zëvendësministrit te Mbrojtjes e te deputetit ne zgjedhjet e 2021. Uroj qe këtë besim ta kem shlyer ne lartësinë e duhur. Jua them këto për te dëshmuar se nuk jam nga ata qe mendojnë se PS u ka borxhe. Përkundrazi!
E shfrytëzoj këtë komunikim publik për ti bere thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, qe ka probleme hetimore serioze me SPAK te mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person te cilit do i ndërpritet procesi hetimor apo do te mund te marre pafajësinë me vone, PS do i japë meritat e duhura ne vijim.
Këto zgjedhje janë me rendësi historike kombëtare sidomos ne 2 aspekte ku me i rëndësishmi është integrimi europian i cili do te ndërpritej dhe do te shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do kishte shansin te fitonte zgjedhjet dhe po aq i rëndësishëm është fati i reformës ne drejtësi. Edhe se po e paguajmë me lëkuren tone drejtësia e re ka garante vetëm PS ne tone. E theksoj këtë qe te vemendesojme drejtuesit e fushatës te respektojnë verbërisht ligjin ne mënyrë qe te mos japim asnjë shans gojëve te madhështoreve te krimeve madhore te tranzicionit politik.
Me respekt dhe ne gatishmëri për punët tona elektorale.
Be First to Comment