Skip to content

“Ekspertiza e dytë e kryer në Itali mbi shkakun e vdekjes së djalit tim është e tmerrshme. Shkaku i humbjes së jetës është anestezia e tepërt. Në këtë përfundim arriti edhe mjekësia jonë ligjore, por ekspertiza më e detajuar që erdhi nga Italia e ka shtjelluar më thellë. Jam i shokuar sa herë që lexoj çdo rresht”, thotë për Faktoje.al Bledar Spahiu, babai i Brian Spahiut.

Qëndrimet

Në qëndrimet e mëparshme pas humbjes së jetës së djalit Bledar Spahiu shprehej se për ndërhyrjen kirurgjikale në mbushjen e 14 dhëmbëve kishte paguar 700 euro dhe 33 mijë lekë të reja shtesë për “dy herë anestezi”.

Djalin e nxori në agoni nga klinika, duke marrë sigurinë e dy mjekëve, Roland dhe Ina Xhaxho, se narkoza do i dilte shpejt, por pak orë më vonë nisen me urgjencë drejt Pediatrisë në QSUNT dhe e shtrojnë në Reanimacionin e Pediatrisë ku më pas humbi jetën.

“Kur doli nga salla mjekja Xhaxho më tha se kishte ndërhyrë në 14 dhëmbë, autopsia dhe ekspertiza nxorën se gjashtë dhëmbë nuk ishin mbushur fare”, kujton këtë detaj me shumë dhimbje Bledari, sot një prind që kërkon prej dy vitesh drejtësi për jetën e humbur të djalit 3-vjeçar.

“Drejtësi për tim bir. Këtë dua dhe do i shkoj deri në fund”, thotë për Faktoje Spahiu, ndërsa shpesh habi se përse u deshën dy vite zvarritje për të arritur në përfundimin se mjekët shkelën çdo protokoll mjekësor dhe etikë profesionale duke sjellë pasojën e rëndë, vdekjen e një fëmije vetëm 3-vjeçar.

Drejtësi e vonuar

Pas përgjigjes së akt-ekspertizës së hollësishme, Prokuroria e Tiranës kërkoi masë sigurie “arrest me burg” për mjekun anestezist Roland Xhaxho dhe “arrest shtëpie” për Ina Xhaxhon stomatologe (vajza e tij) dhe stomatologen tjetër të klinikës Marta Gina. Gjykata vendosi të zbusë masën për Roland Xhaxhon duke e lënë në “arrest shtëpie” dhe po në arrest shtëpie dy stomatologet.

Ata akuzohen deri më tani për “vrasje nga pakujdesia dhe mjekim i pakujdesshëm”. Megjithatë, përgjigjet e mbërritura mund të rëndojnë akuzat.

Faktoje.al mëson se po diskutohet mundësia e rikualifikimit të veprës penale në “Vrasje me dashje indirekte”, ç’ka rëndon më shumë pozitat e mjekut Xhaxho, vajzës së tij dhe stomatologes së punësuar në klinikën e tyre.

Dosja

I mituri Brian Spahiu humbi jetën në reanimacionin e pediatrisë më 1 tetor 2023, dy ditë pasi kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale dentare pranë klinikës private “Splendent”.

Faktoje.al mëson se nga akt-ekspertimi prej afër 200 faqesh jepen hollësi për të gjithë ecurinë fillimisht të anestezisë, më pas ndërhyrjes nga stomatologët dhe pasojave fatale që solli kjo “neglizhencë”, e cila nuk mund të lidhet kurrsesi me paaftësinë e mjekut, pasi Xhaxho renditet ndër mjekët më të mirë anestezist që ka vendi.

Po ashtu po hetohet edhe protokolli mjekësor pas përkeqësimit të shëndetit dhe trajtimit në reanimacionin pediatrik.

Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu nuk është rast i izoluar dhe janë me dhjetëra çështje të padive për mjekim të gabuar, apo edhe mitmarrje në sektorin ku është në peshore jeta njerëzore, para së të përfundojnë në peshoren e drejtësisë nga ngjarjet fatale.

“Kam dy vite që shkoj në çdo derë, kam vetëm një qëllim: Drejtësi për tim bir”, thotë Bledar Spahiu, prindi që nuk feston më ditëlindjet e djalit, por përkujton vitet e ditës së mortit.

Urdhri i mjekut

Edhe pse janë me dhjetëra raste të denoncimeve ndaj mjekëve për mjekim të gabuar me pasoja të rënda deri humbjen e jetës së pacientëve, dënime për këtë vepër penale nuk janë dhënë. Kjo konfirmohet edhe nga një përgjigje e Urdhrit të Mjekut për Faktoje.al.

“Gjatë 10 viteve të fundit, Urdhri i Mjekëve ka marrë gjithsej 15 vendime disiplinore për gjykime të zhvilluara në të dyja shkallët e gjykimit, si dhe në shkallën e parë, kur ankesat janë shqyrtuar pranë Këshillave Rajonale, dhe në shkallën e dytë, kur ato janë kaluar për shqyrtim pranë Këshillit Kombëtar”, thotë Urdhri i Mjekut, që më tej shton se: “Në pjesën dërrmuese të rasteve, mjekët janë shpallur të pafajshëm”.

Përgjatë dhjetë viteve të fundit Urdhri i Mjekut numëron pak raste masash disiplinore për pezullim license, vërejtje dhe paralajmërim për heqje license.

“Janë marrë edhe masa disiplinore, përfshirë: 2 raste pezullimi licence (me kohëzgjatje 3 dhe 4 muaj), për shkelje të neneve 13 dhe 25 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore; 2 raste vërejtjeje me shkrim, për shkelje të nenit 26 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore; 2 raste vërejtjeje me paralajmërim për heqje licence, për shkelje të neneve 34, 35 dhe 36 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, thuhet në qëndrimin e Urdhrit të Mjekut për Faktoje.al.

Aktualisht urdhri konfirmon se nuk ka masa disiplinore në fuqi për mjekët. “Për të gjithë mjekët ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, ato masa janë shlyer tashmë. Për këtë arsye, aktualisht nuk ka masa në fuqi”, thuhet në reagim.

Rastet e rënda

Onkologjiku, QSUT (Tiranë), qershor 2024, Hetim për skemë zhvatjeje/transferimi pacientësh nga publiku te privati “Megis”, mosfunksionim i qëllimshëm i “Kobalto Terapisë”, shitje/transferim ilaçesh spitalore; nën hetim: Edmond Gashi, Alketa Ymeri (Pere), Emiljano Lela, Brikena Qirjazi (ish-zv/drejtoreshë), Halil Gashi (admin i klinikës), Florian Marku (farmaci). Masa sigurie: arrest shtëpie/detyrim paraqitjeje.

Kardiokirurgjia, QSUT (Tiranë), 2021-2024, Dosje SPAK ndaj prof. Edvin Prifti: 4 akuza (korrupsion në 7 raste, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, fshehje të të ardhurave, pastrim parash); sekuestrim rreth 1.1 mln euro (pjesërisht cash në banesë/zyrë). Më 13 shkurt 2024 dosja u çua për gjykim; shtator 2024 GJKKO ktheu për plotësime hetimi.

Klinika dentare “Splendent” (Tiranë), tetor 2023 (zhvillime 2024-2025), Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu pas një ndërhyrjeje dentare me anestezi të përgjithshme në klinikën private të Roland Xhaxho (anestezist/kardiolog), ku punonte dhe e bija Ina Xhaxho. Prokuroria sekuestroi dokumentacionin mjekësor dhe kërkoi ekspertizë të pavarur ndërkombëtare. Akuza: vrasje nga pakujdesia / mjekim i pakujdesshëm. Masa sigurie: arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje për mjekët. Çështja penale vijon në hetim me akt-ekspertizë italiane për shkaqet e vdekjes.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *