Tabaku thekson se “stabiliteti i pretenduar nga qeveria nuk ekziston në xhepat e qytetarëve, por vetëm në letrat e ministrive”, ndërsa faktet, sipas saj, tregojnë një realitet krejt tjetër.
“EUROSTAT tregoi që 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, nuk e mbyllin dot muajin. 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime,” – shprehet Tabaku, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e taksave të larta, rritjes së çmimeve me 30% dhe zhvlerësimit të euros, që ka goditur më fort shtresat e mesme dhe të ulëta.
Deputetja demokrate nënvizon se ekonomia shqiptare po varet gjithnjë e më shumë nga sektori i ndërtimit, ndërsa sektorët që krijojnë punësim dhe mirëqenie – si bujqësia, prodhimi dhe energjia – janë lënë në harresë.
“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më! Për çdo 1% rritje ekonomike, punësimi rritet me vetëm 0.1%. Kjo është prova që kemi një ekonomi të pakicës, që nuk krijon vende pune dhe nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët,” – theksoi Tabaku.
Ajo bëri thirrje që realiteti ekonomik i vendit të ndryshojë, duke u vendosur në shërbim të shumicës së shqiptarëve që përballen çdo ditë me koston e jetesës dhe pasigurinë ekonomike.
“Këtë realitet duhet ta ndryshojmë. Ekonomia duhet të punojë për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti,” – përfundoi Tabaku.
Be First to Comment