Skip to content

Sipas Bushkolajt, tenderi fillestar me vlerë 124 milionë euro u anulua për t’u rihapur më pas me 190 milionë euro dhe për t’u fituar nga një kompani turke, në një proces ku fituesi ishte i paracaktuar. Ai theksoi se “gjakderdhja financiare” në këtë sektor është e thellë, ndërsa asnjë prej zyrtarëve të përfshirë nuk ka vepruar pa “bekimin nga lart”.

Bushkolaj nënvizoi gjithashtu se shumë nga zyrtarët e përfshirë në hetim kanë pasur një rritje të pazakontë të pasurisë, duke ngritur dyshime se paratë e korrupsionit janë pastruar përmes investimeve në pasuri të paluajtshme. Ai theksoi se ndjekja e rrugës së parave do të jetë thelbësore për të zbuluar përfituesit e vërtetë dhe ideatorët politikë të kësaj skeme.

Pjesë nga deklarata:

Ne kemi ndjekur fjalën e gjatë të zotit Berisha në hapje të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u fol për nisjen e reflektimit të brendshëm pas raportit përfundimtar të ODIHR-it dhe për hapjen e partisë. Por vëmendja kryesore ishte te zhvillimet me SPAK-un dhe hetimet që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe një grup zyrtarësh për aferën e tunelit të Llogarasë.

Kemi të bëjmë me atë që tashmë quhet “manuali 5B”, një model i ngjashëm me manualin “5D” të Bashkisë së Tiranës. Në këtë rast flitet për tenderat më të mëdhenj të infrastrukturës dhe energjisë tendera që i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro çdo vit. Vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i pyetur nga deputeti Belind Këlliçi, ka konfirmuar se e gjithë kupola e institucioneve që varen nga Ministria e Infrastrukturës, si Drejtoria e Rrugëve, OSHEE apo ERRU, janë nën hetim për afera korruptive.

Janë afera që Arben Ahmetaj i ka cilësuar si “gjakderdhje financiare” në sektorin e infrastrukturës. Rasti i tunelit të Llogarasë është më domethënësi: tenderi i parë, me vlerë 124 milionë euro, u anulua, për t’u rihapur me një shumë më të madhe 190 milionë euro dhe për ta fituar më pas një kompani turke. Fituesja ishte “Gjoka Construction”, kompani shqiptare që i përket një ish-deputeti të Partisë Socialiste dhe që ka marrë shumicën e tenderave qeveritarë, përfshirë edhe tunelin e Rrugës së Arbrit.

Kostoja e tunelit të Llogarasë rezulton të jetë dy herë më e lartë për kilometër krahasuar me tunelin Tiranë–Elbasan, megjithëse ky i fundit kishte rëndësi shumë më të madhe për popullsinë. Sipas analizave, fryrja e çmimeve është e dukshme dhe dëmi ndaj buxhetit të shtetit mund të llogaritet në miliona euro.

Në këtë histori, përmenden disa emra të njohur. Evis Berberi, një nga personat kyç në Ministrinë e Infrastrukturës, rezulton të jetë ndërtuesi i “manualit 5B”, përmes kompanisë Dam SHPK, që ka përfituar disa tendera, përfshirë edhe një për supervizimin e punimeve. Emri i Berberit lidhet edhe me Benet Beci, kryetar i Bashkisë Shkodër, i cili është thirrur disa herë në SPAK. Në komunikimet mes tyre përmendet ndarja e fondeve: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 350 mijë euro për ne pa shkollë” – një shprehje që tregon qartazi mënyrën se si ndaheshin paratë e tenderave.

Në fakt, Berberi del i kryqëzuar në disa dosje të tjera që lidhen me tenderat e infrastrukturës. Por, ashtu siç theksohet, është e pamundur që këta zyrtarë Berberi, Gjyli, Elezi apo vartësit e tyre – të kenë vepruar pa “bekim nga lart”. Kjo sugjeron se zinxhiri i përgjegjësisë shkon shumë më lart në hierarkinë qeveritare.

Në këtë kuadër, gjithnjë e më shumë del në pah përfshirja e kryeministrit Edi Rama, që ka qenë vetë i pranishëm në takimet me përfaqësues të kompanive turke. Siç theksonte edhe analisti Baton Haxhiu në një shkrim të fundit, pas projektit të tunelit të Llogarasë qëndron personalisht Rama, i cili ka udhëhequr komunikimet me kompanitë fituese dhe e ka mbështetur këtë investim jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht dhe gjeopolitikisht.

Në të gjitha dosjet e korrupsionit, nga ajo e Arben Ahmetajt te ajo e Oldion Bisrit, bie në sy fenomeni i pastrimit të parave përmes blerjes e shitjes së apartamenteve, shpesh fiktive, ku zyrtarët shfaqen si investitorë realë përmes ndërmjetësve. Edhe në këtë rast, paratë e tenderave publikë dyshohet se janë kanalizuar në ndërtim për t’u pastruar.

Hetimi është në fazën e parë, i fokusuar te shkeljet procedurale dhe gjetjet e para, por më pas pritet të nisë hetimi pasuror, për të ndjekur lëvizjen e parave dhe për të identifikuar përfituesit realë. Sipas analizës, “paratë mund të mos kenë shkuar vetëm tek kompania turke, por të kenë mbetur në Shqipëri”, të investuara nga zyrtarë të korruptuar që kanë shfrytëzuar postet e tyre.

Në fund, e gjithë kjo skemë tregon se infrastruktura rrugore dhe energjetike e vendit është kthyer në një minierë korrupsioni, ku tenderat qepen “si kostume me porosi” për kompani të parapërcaktuara, ndërsa komisionet e vlerësimit janë thjesht fasadë.

Sipas kësaj analize, SPAK duhet të ndjekë gjurmën e parasë, njësoj si në rastin Ahmetaj, për të zbuluar përfituesit e vërtetë dhe për të provuar se pas aferës së Llogarasë fshihet jo vetëm Balluku apo Berberi, por një sistem i centralizuar korrupsioni që mban firmën e vetë kryeministrit Rama.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *