Në një intervistë për Politico, Trump tha se pavarësisht propozimeve që mund të sjellë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit të tyre në Mar-a-Lago të dielën, “ai nuk ka asgjë derisa Trump ta miratojë”.
“Kështu që do të shohim se çfarë ka”, shtoi Trump.
Zelensky kishte prezantuar më parë një plan paqeje prej 20 pikash, i cili parashikon krijimin e një zone të demilitarizuar, me kushtin kryesor që Rusia të tërheqë forcat nga një pjesë e territoreve në Donetsk. Zyrtarët ukrainas e përshkruan planin si një përpjekje për “të treguar fleksibilitet pa lëshuar territor”.
Trump u shpreh optimist për takimin me Zelenskyn, duke thënë: “Mendoj se do të shkojë mirë me të. Mendoj se do të shkojë mirë me Vladimir Putinin.” Ai gjithashtu shtoi se “do të flasë me udhëheqësin e Rusisë së shpejti”.
Sipas pritshmërive, takimi i së dielës do të përqendrohet te garancitë e sigurisë, menaxhimi i centralit bërthamor Zaporizhzhia, dhe kontrolli territorial i Donbasit, që Moska e ka pretenduar.
Be First to Comment