Skip to content

Lajmi I Fundit

Posted on December 28, 2025 By admin No Comments on

Në Ballkan, betoni nuk është më thjesht një material ndërtimi. Është monedhë, është pasaportë, është lavatriçe e parave të pista. Në Serbi dhe Shqipëri, rritja galopante e çmimeve të banesave nuk ka më lidhje me tregun real, as me mirëqenien e qytetarëve, por me dinamikën e pazareve që nuk mbahen në bilancet bankare, por në thasë dhe valixhe.

Në Beograd, çmimet e banesave janë dyfishuar në gjashtë vitet e fundit. Nëse në 2019 një metër katror në një apartament në zonë të mirë kushtonte 1,200 euro, sot ai çmim ka kaluar 2,300 euro. Dhe jo sepse janë rritur rrogat, ato mezi lëvizin, por sepse Beogradi është kthyer në një lavatriçe të madhe për kapitalin pa emër.

Projekti “Belgrade Waterfront” është simboli i kësaj epoke: kulla luksi, apartamente bosh, investitorë që shfaqen nga asgjëja. Kërkesa për banesa është e lartë, por jo sepse qytetarët duan të jetojnë më mirë, por sepse dikush duhet të pastrojë paratë shpejt përmes një kontrate ndërtimi.

Të njëjtat simptoma i gjejmë në Shqipëri, vetëm se këtu sëmundja është më e avancuar. Tirana është kthyer në një qytet ku çmimi i banesave ka kaluar pragun e absurditetit: mbi 2,500 euro për metër katror në qendër dhe rreth 1,500 në periferi. E ndërkohë që rroga mesatare është nën 500 euro, çdo vit ndërtohen mijëra apartamente të reja që askush nuk i blen për të jetuar, por për të fshehur paratë. Ky është paradoksi shqiptar: një treg i mbushur me oferta të pashitura, por me çmime në rritje konstante. As logjika e tregut nuk e shpjegon këtë; vetëm logjika e pastrimit të parave.

Në të dy vendet, ky fenomen është kthyer në sistem. Ligjet janë të paefektshme, bankat janë të heshtura, institucionet të korruptuara ose të pafuqishme. As në Beograd, as në Tiranë nuk ka transparencë të vërtetë mbi origjinën e kapitalit që financon ndërtimet. Lejet merren pa pyetur komunitetin, projektet nisin pa garë dhe investimet bëhen përtej çdo norme ekonomike. Pas çdo pallati fshihet një histori që askush nuk guxon ta hetojë: një trafik droge, një tender i fryrë, një marrëveshje nën tavolinë.

Kjo rritje artificiale e çmimeve të pasurive nuk është vetëm një çështje ekonomike. Është një krizë sociale e ardhshme. Një brez i tërë po mbetet jashtë tregut të strehimit, i dënuar të jetojë me qira të kripura ose të largohet nga vendi. Ndërkohë, apartamentet bosh shtohen, por askush nuk pyet pse. Sepse e dinë përgjigjen.

Serbia dhe Shqipëria po ndërtojnë jo për të strehuar njerëzit, por për të fshehur krimin. Pasuria e paluajtshme është kthyer në pasuri të paprekshme. Dhe për sa kohë drejtësia nuk do të ndjekë rrugën e parasë, ky trend do të vazhdojë, dhe me të, do të thellohet hendeku mes atyre që pastrojnë miliona dhe atyre që nuk blejnë dot një dhomë.

Nuk kemi të bëjmë me zhvillim urban, por me një formë moderne të kapjes së shtetit. Ashtu siç në Serbi është ndërtuar një fasadë e pasur mbi një realitet të varfër, edhe në Shqipëri po përgatitet një Tiranë e re për ata që nuk jetojnë këtu. Dhe kjo është drama: qytetet tona po u shiten atyre që nuk kanë asgjë për të humbur, dhe po i mbyllen atyre që duan një jetë normale./Pamfleti

Lajme Shqip

Post navigation

Previous Post: Pas 30 vitesh lind një fëmijë: Italianët festojnë beben e parë të një fshati të braktisur
Next Post: Paralele: Si po pastrohen miliarda nga droga dhe korrupsioni në kullat e Tiranës dhe Beogradit (VIDEO)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Recent Posts

  • What Fans Never See Behind Match Day in Professional Sports
  • How Modern Sports Demand Mental Strength as Much as Physical Ability
  • The Unseen Pressure Athletes Carry Beyond the Spotlight
  • Why Consistency Matters More Than Motivation in Athletic Training
  • What Separates Professional Athletes From the Rest Is Not Just Talent

Recent Comments

No comments to show.

Copyright © 2026 Lajmi I Fundit.

Powered by PressBook WordPress theme