Tarifat e tij goditën rëndë sistemin shumëpalësh të tregtisë. Makineria e diplomacisë ndërkombëtare, nga OKB-ja te ndihma e jashtme, u trondit nga shkurtimet e financimeve amerikane. Aleancat tradicionale të sigurisë u shndërruan në marrëdhënie transaksionale, ku fuqia ushtarake dhe ekonomike e SHBA-së u “monetizua”.
Brenda vendit, Trump ndërmori shtrirjen më të gjerë të pushtetit ekzekutiv në një shekull: ushtarë u dërguan në qytete të drejtuara nga demokratët; universitetet u vunë nën presion përmes kërcënimeve dhe shkurtimit të fondeve; pavarësia e Rezervës Federale u sulmua; dhe aparati shtetëror u përdor kundër kundërshtarëve të presidentit.
Ritmi marramendës dhe përmasa e këtyre veprimeve e bënë të vështirë të kuptohej se ku po çonin. Ishte kjo një tronditje e nevojshme për një sistem të ngurtësuar, apo një sulm ndaj shtyllave bazë të demokracisë amerikane? Ishte pazari transaksional një mënyrë novatore për të zgjidhur problemet, apo triumfi i metodave mafioze mbi mençurinë strategjike afatgjatë? Kishte alarm, përfshirë edhe nga The Economist, për rreziqet e proteksionizmit, korrupsionit, politizimit të institucioneve të pavarura dhe, me kalimin e vitit, një shqetësim në rritje se ekipi i Trump nuk ndihej i detyruar nga ligji.
Megjithatë, stili i udhëheqjes “alla Sopranos” i presidentit solli edhe disa suksese reale. Më i dukshmi ishte armëpushimi në Gaza, i cili krijoi mundësinë për një fillim të ri dhe justifikoi diplomacinë e tij të përqeshur të stilit “pasuri të paluajtshme në Nju Jork”. Presioni ndaj aleatëve të NATO-s çoi në rritje të buxheteve të mbrojtjes, në nivele që pak kush do t’i kishte imagjinuar një vit më parë. Dhe në përplasjet mes vendeve më të vogla, një president që aspiron Çmimin Nobel për Paqe, i gatshëm të kërcënojë me tarifa dhe të përdredhë krahë, ndihmoi në zgjidhjen, ose të paktën në mbulimin, e disa konflikteve.
Por pati edhe dështime të qarta. Nga pikëpamja strategjike, vendosja e tarifave ndëshkuese ndaj Indisë (zyrtarisht për blerjen e naftës ruse) dhe Brazilit (për gjykimin e Jair Bolsonaro-s) kishte pak kuptim. Të dyja vendimet do t’i afrojnë këto vende më shumë me Kinën. Trump bëri pak përparim me Vladimir Putinin dhe u manovrua nga Xi Jinping. Kina doli fituesja e qartë e përplasjes tregtare të vitit 2025.
Fatmirësisht, tarifat nuk e fundosën ekonominë globale. Gjashtë muaj pas “Ditës së Çlirimit”, të ardhurat nga tarifat tregojnë një normë mesatare efektive amerikane pak mbi 10% – shumë më e ulët se sa pritej në prill. Hakmarrja ishte e kufizuar dhe u shmang një luftë tregtare e stilit të viteve 1930. Në vend të saj, vendet bënë marrëveshje dhe importuesit mbajtën pjesën më të madhe të barrës. Ndërkohë, shkurtimi energjik i rregulloreve, entuziazmi për kriptomonedhat dhe vendosmëria për të fituar garën e inteligjencës artificiale ushqyen një bum të jashtëzakonshëm në bursë, duke forcuar një ekonomi çuditërisht rezistente.
Ky bum, i kombinuar me frikën nga ndëshkimi, krijoi një narrativë të njëtrajtshme mes liderëve të biznesit: pavarësisht drejtimit që do të merrte bota, ekonomia amerikane do të lulëzonte. Pak ishin të gatshëm të shprehnin shqetësime, dhe sigurisht jo publikisht.
Me rendin e vjetër të rrënuar, konturet e botës së re do të bëhen më të qarta në vitin 2026, në tri fusha kryesore. E para lidhet me të ardhmen e demokracive liberale perëndimore. Zgjedhjet afatmesme në nëntor do të përcaktojnë nëse SHBA rrezikon seriozisht një rrëshqitje drejt kuazi-autokracisë. Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të ketë një frenë reale ndaj administratës Trump. Historia sugjeron se kjo është e mundshme, por këto nuk janë kohë normale: demokratët janë edhe më pak popullorë se Trump, dhe ekziston rreziku real i ndërhyrjes në procesin zgjedhor.
Në anën tjetër të Atlantikut, viti 2026 do të tregojë nëse populistët nacionalistë të stilit MAGA janë pranë pushtetit në ekonomitë më të mëdha të Europës. Në Britani, ku partia Reform UK e Nigel Farage kryeson në sondazhe, zgjedhjet vendore do të tregojnë nëse kjo epërsi përkthehet në vota reale dhe në perspektivën e një kryeministri si Farage. Në Francë, historia e afërt sugjeron një tjetër rrëzim qeverie, që do të çonte në zgjedhje parlamentare dhe ndoshta në Jordan Bardella si kryeministri i parë i së djathtës populiste. Në Gjermani, do të shihet nëse “muri mbrojtës” kundër së djathtës ekstreme mund të qëndrojë.
Fusha e dytë është gjeopolitika. Në vitin 2026, transaksionalizmi trumpian do të shndërrohet në një përzierje të çuditshme paqebërjeje të paqëndrueshme, ndërhyrjeje të fortë në “oborrin e pasmë” amerikan dhe pazareve oportuniste për zinxhirët kritikë të furnizimit. Dëshira e Trump për Nobelin do ta mbajë të angazhuar në Lindjen e Mesme: ai do të pengojë rikthimin e Izraelit në luftë të plotë në Gaza dhe do të shtyjë për një falje për Benjamin Netanyahun, ndoshta edhe për një dalje politike të butë. Trump mund të luajë rolin e paqebërësit edhe gjetkë, sidomos aty ku mund të nxirren marrëveshje për minerale të rralla. Por përballë kokëfortësisë së Putinit, SHBA do t’ia lërë fatin e Ukrainës Europës, e cila, e përqendruar te rritja e së djathtës populiste, mund të dështojë në këtë përgjegjësi.
Sinjalet më të qarta për drejtimin e politikës së jashtme amerikane do të vijnë nga Azia dhe Amerika Latine. Në Azi, përgatituni që dëshira e Trump për të bërë biznes me Kinën të çojë në një zbehje të rrezikshme të mbështetjes për Tajvanin. Paqartësia strategjike amerikane mund të kthehet në një indiferencë të studiuar, sidomos nëse një ekonomi amerikane në dobësim e bën më të nevojshme një marrëveshje të madhe tregtare me Pekinin.
Në hemisferën perëndimore, në kontrast, pritet përdorim i ashpër i fuqisë amerikane: mbështetje për aleatë ideologjikë si Javier Milei në Argjentinë dhe Nayib Bukele në El Salvador, e shoqëruar me presion të hapur ndaj kundërshtarëve ideologjikë. Priten përpjekje për ndryshim regjimesh në Venezuelë dhe ndërhyrje për të ndikuar zgjedhje, për shembull në Kolumbi. Ashpërsia në Amerikën Latine do t’i shërbejë një presidenti që dëshiron të duket i fortë për emigracionin, krimin dhe drogën.
Fusha e tretë e qartësimit do të jetë ekonomia. Edhe nëse nuk ka një korrigjim të fortë të tregjeve, rritja e çmimeve të aksioneve nuk do ta mbështesë besimin si në vitin 2025. As ndikimi transformues i inteligjencës artificiale në produktivitet nuk do të shfaqet aq shpejt sa shpresojnë entuziastët. Dëmet nga tarifat do të bëhen më të dukshme, presioni mbi konsumatorët më i rëndë dhe paqëndrueshmëria e deficitit buxhetor amerikan më e qartë. Zgjedhja e Trump për kreun e ardhshëm të Rezervës Federale do të tregojë nëse pavarësia e bankës qendrore ka marrë fund apo jo. Duke pasur parasysh problemet e vendeve të tjera të pasura, një ikje masive nga dollari nuk pritet. Por deri në fund të vitit 2026, ekonomia amerikane mund të mos duket më aq e jashtëzakonshme.
Paradoksalisht, kjo mund të jetë një përfundim i mirë. Një ekonomi më e dobët do të rriste shanset e demokratëve për të rimarrë Dhomën e Përfaqësuesve dhe për të rikthyer disa mekanizma kontrolli në demokracinë amerikane. Tregjet financiare të shqetësuara mund të frenojnë gjithashtu aventurat më flagrante kushtetuese të revolucionarëve të Shtëpisë së Bardhë. Dhe një ekonomi më e dobët mund ta shtyjë vetë Trump drejt më shumë pragmatizmi. Ndoshta ka ardhur koha që ndonjë biznesmen i guximshëm të thotë hapur se, për shëndetin afatgjatë të Amerikës, disa gunga afatshkurtra në rrugë nuk do të ishin aspak gjë e keqe. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Be First to Comment