Skip to content

Lajmi I Fundit

Posted on January 10, 2026 By admin No Comments on

Ndërsa protestat kundër regjimit po përhapen kudo në Iran dhe po shtohen dyshimet mbi jetëgjatësinë e pushtetit të Liderit Suprem, Ali Khamenei, një pyetje mbetet thelbësore: Kush do ta merrte realisht frenat e shtetit nëse do të shembej Republika Islamike?

Sipas ekspertëve të rajonit dhe figurave të opozitës iraniane, përgjigja është ende e mjegullt. Rezultati mund të mos varet aq shumë nga ideologjia, sesa nga mënyra se si do të bjerë regjimi dhe nëse forcat e sigurisë do të pësojnë përçarje apo do të qëndrojnë në bllok.

Procesi i rënies peshon po aq sa pasardhësi

Behnam Ben Taleblu, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, thekson se faktori vendimtar nuk është thjesht fakti nëse regjimi do të bjerë, por skenari se si do të ndodhë kjo.

“Edhe pse ai mban titullin e Udhëheqësit Suprem, shumëkush po pyet, sidomos pas luftës me Izraelin dhe me daljet e tij të rralla në publik – se deri në ç’pikë Khamenei po e qeveris realisht vendin”- thotë Ben Taleblu për Fox News.

Ai u bëri thirrje qeverive perëndimore që të mos mjaftohen me një tranzicion sipërfaqësor që thjesht ndërron figurat e elitës.

“Ajo që më tremb është tundimi i Perëndimit për të pranuar një model si ai i Maduros në Venezuelë apo modeli i Egjiptit”- shtoi ai, duke iu referuar rasteve ku strukturat e sigurisë mbajnë pushtetin edhe nën një udhëheqje të re.

“Kjo do të ishte thjesht një lojë karrigesh në majat e pushtetit, e cila nuk do t’i hapte popullit iranian asnjë rrugë drejt një ndryshimi të mirëfilltë”- nënvizoi ai.

Sipas Ben Taleblu, opozita iraniane ka para një sfidë më shumë logjistike sesa ideologjike: ajo duhet t’i kthejë protestat e vazhdueshme të rrugës në një forcë politike të mirëfilltë, përpara se forcat e sigurisë të rivendosin kontrollin e tyre.

Roli jetik i forcave të sigurisë

Mendimi i përgjithshëm i ekspertëve është se e ardhmja e Iranit është e lidhur ngushtë me fatin e aparatit shtypës të regjimit, ku bëjnë pjesë Garda Revolucionare (IRGC), milicia Basij dhe ushtria e rregullt. Ben Taleblu vëren se gjithçka do të ndryshonte nëse pjesë të këtyre forcave nisin të dezertojnë, të refuzojnë urdhrat apo të përçahen midis tyre.

“Duhet të goditet pikërisht këtu fuqia shtypëse regjimit”- u shpreh ai, duke shtuar se tranzicioni kërkon protesta të pareshtura, greva ekonomike dhe thyerje të unitetit brenda njësive të sigurisë. Nëse nuk ndodh kjo, analistët paralajmërojnë një skenar ku klerikët mund të largohen nga skena, por pushteti real mbetet në duart e institucioneve të armatosura.

“Kjo është edhe frika e madhe. Nëse shteti luan me skema rrotacioni brenda llojit, njerëzit në rrugë nuk do ta pranojnë. Dhe kjo do të thotë një rrugë shumë më e vështirë përpara”- thotë Ben Taleblu A mund të kemi një marrje të pushtetit nga ushtria?

Disa analistë shohin si shembull historik rastin e Egjiptit, ku ushtria ndërhyri në mes të trazirave.

Beni Sabti, ekspert për Iranin në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Izrael, thotë se një tranzicion i udhëhequr nga ushtria nuk është i pamundur, por do të ishte shumë i ndërlikuar. “Gjeneralët e Gardës Revolucionare mund të tentojnë teorikisht një grusht shteti”- tha Sabti për Fox News, duke theksuar se institucionet ushtarake në Iran nuk janë një bllok i vetëm.

Ai bën dallimin midis Gardës Revolucionare, që e sheh si një forcë ideologjike dhe asimetrike, dhe ushtrisë së rregullt, e cila konsiderohet më profesionale dhe me një fokus kombëtar. Sabti përmendi ish-shefin e forcave të armatosura, Habibollah Sajari, si një person që ka shfaqur mendime kritike brenda sistemit. Gjithsesi, ai paralajmëron se kritika nuk mjafton për t’u bërë lider, pasi në politikën iraniane një rol kyç luan karizma.

Të burgosurit politikë dhe liderët e brendshëm

Edhe pse bota i ka sytë te aktivistët e burgosur, ekspertët janë mosbesues nëse udhëheqësit e ardhshëm do të dalin nga qelitë e Iranit. Ben Taleblu mendon se dekadat e represionit e kanë bërë pothuajse të pamundur rritjen e një lidershipi politik brenda vendit.

“Nga brenda do të vijnë forcat e revolucionit, në një kohë që lidershipi politik duhet të ndërtohet jashtë”- thotë ai. Këtë mendim ndan edhe Sabti, i cili beson se të burgosurit që do të lirohen do të jenë pjesë e sistemit të ri, por jo domosdoshmërisht udhëheqësit e tij kryesorë. “Ne nuk presim të shohim udhëheqës karizmatikë që dalin drejtpërdrejt nga burgu për të marrë frenat e vendit”-u shpreh ai.

Opozita në mërgim dhe dilema “Pahlavi”

Përkrahësit e Reza Pahlavit, thonë se ai po kthehet në një pikë referimi për mobilizimin e opozitës. Më 8 janar, Pahlavi u bëri thirrje iranianëve të protestonin kudo ku mundnin dhe sipas bashkëpunëtorëve të tij, reagimi ishte masiv në qytete si Teherani, Mashhadi, Isfahan dhe Tabrizi. Njerëzit pranë tij e paraqesin Pahlavin si një mbrojtës të një Irani laik dhe demokratik, duke hedhur poshtë zërat se ai synon thjesht rikthimin e monarkisë.

Vetë Pahlavi ka deklaruar shpesh, se forma e shtetit të ardhshëm duhet të vendoset nga populli përmes një procesi kushtetues. “Roli im nuk është të anoj peshoren nga monarkia apo republika. Unë do të jem plotësisht i paanshëm në këtë proces, për t’u siguruar që iranianët të kenë më në fund mundësinë të zgjedhin lirisht”- ka thënë Pahlavi.

Gazetarja iraniano-amerikane, Banafsheh Zand, deklaroi për Fox News se Pahlavi është e vetmja figurë që mund të bashkojë opozitën, edhe pse ky mendim kundërshtohet nga të tjerë në diasporë.

“Ai është i vetmi që mund ta çojë deri në fund këtë proces”- thotë Zand, duke shtuar se çdo lider potencial brenda Iranit do të eliminohej menjëherë nga regjimi.

Megjithatë, ekspertët vërejnë se edhe pse Pahlavi është i njohur në Perëndim, ai mbetet një figurë që ngjall debate, sidomos te ata iranianë që i druhen monarkisë ose ndikimit të jashtëm.

Rajavi dhe grupet e organizuara opozitare

Një tjetër lëvizje e rëndësishme, Mujahedin-e Khalq (MEK) e udhëhequr nga Marjam Rajavi, ka siguruar prej vitesh mbështetjen e figurave të larta amerikane si Majk Pens, Majk Pompeo dhe Rudi Xhuliani.

Në një prononcim për Fox News Digital, Rajavi u shpreh se ndryshimi “nuk do të vijë nga jashtë Iranit dhe as nga vullneti i kryeqyteteve të huaja”.

Ajo këmbënguli se vetëm një rezistencë e organizuar brenda vendit mund ta rrëzojë regjimin aktual.

Rajavi e sheh organizatën e saj si motorin e kryengritjeve, dhe propozon një periudhë 6-mujore tranzitore pas rënies së regjimit, e cila do të përfundonte me zgjedhje të lira. Sidoqoftë, shumë analistë e vënë në dyshim peshën reale të këtij grupi në Iran. Sabti shpjegon se historia e MEK dhe ideologjia e tyre e mbyllur, kanë krijuar një distancë me rininë iraniane.

Nga ana tjetër, në një konferencë të vitit të kaluar, Pompeo i doli në mbrojtje idesë së një qeverie popullore dhe demokratike, duke e quajtur fundin e teokracisë një “bekim për të gjithë botën”.

Asnjë pasardhës në horizont dhe një rrugë e gjatë përpara

Pavarësisht diskutimeve, të gjithë ekspertët bashkohen në një pikë: nuk ka ende një pasardhës të vetëm dhe të qartë që pritet ta marrë pushtetin në Iran.

“Nuk jemi ende në atë fazë”- thotë Sabti, duke kujtuar se Khamenei është ende në krye dhe forcat e sigurisë nuk kanë dështuar.

Ben Taleblu e krahason këtë proces me një maratonë: “Duhet ndërtuar ura më e sigurt drejt një Irani pas Republikës Islamike, në mënyrë që forcat e revolucionit brenda vendit të mund të kthehen më në fund në votues dhe të vendosin vetë për fatin e tyre”./PAMFLETI NGA FOXNEWS

Lajme Shqip

Post navigation

Previous Post: Fërkoni gjurin tuaj me këtë përbërje dhe nuk do të ndjeni më dhimbje për 10 vite (VIDEO)
Next Post: Kush do ta qeveriste Iranin nëse bie Republika Islamike? A është kjo një alternativ e duhur!!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Recent Posts

  • What Fans Never See Behind Match Day in Professional Sports
  • How Modern Sports Demand Mental Strength as Much as Physical Ability
  • The Unseen Pressure Athletes Carry Beyond the Spotlight
  • Why Consistency Matters More Than Motivation in Athletic Training
  • What Separates Professional Athletes From the Rest Is Not Just Talent

Recent Comments

No comments to show.

Copyright © 2026 Lajmi I Fundit.

Powered by PressBook WordPress theme