Irani vendos 4 kushte të panegociueshme për një marrëveshje: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon.
Në Pakistan kanë nisur bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me qëllim uljen e tensioneve dhe përcaktimin e një rruge të mundshme drejt përfundimit të konfliktit mes dy vendeve. Negociatat po zhvillohen në një kuadër trepalësh, ku Pakistani luan rolin e ndërmjetësit.
Procesi i bisedimeve është strukturuar në disa faza. Fillimisht, delegacionet e SHBA-së dhe Iranit zhvillojnë takime të ndara me udhëheqjen pakistaneze. Në fazën e dytë parashikohen negociata indirekte mes dy palëve, ndërsa një fazë e tretë shtesë, e cilësuar si “+1”, do të aktivizohet vetëm nëse arrihet përparim i dukshëm.
Pak para se të ulen në bisedime të mirëfillta, delegacionet e SHBA-ve dhe Iranit zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesin, kryeministrin pakistanez. Irani vendos 4 kushte të panegociueshme për një marrëveshje: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon.
Një burim iranian deklaroi për Reuters se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për lirimin e aseteve të ngrira, por ky pretendim u mohua nga Shtëpia e Bardhë, e cila theksoi se nuk ka ende një marrëveshje konkrete.
Nga ana politike, zëvendëspresidenti i Iranit deklaroi se një marrëveshje është e mundur vetëm nëse Uashingtoni i qaset negociatave me parimin “Amerika e Para”. Ai paralajmëroi se një qasje e bazuar në “Izraeli i Para” do të çonte në bllokim të procesit.
Në Uashington, Donald Trump mbajti një qëndrim të kujdesshëm, duke deklaruar se Irani “nuk ka karta të forta negociuese”. Ai theksoi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një prioritet i menjëhershëm për SHBA-në, ndërsa nënvizoi se parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore përbën “99% të çështjes”.
Në të njëjtën kohë, burime iraniane konfirmuan se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po rikuperohet nga plagë të rënda në fytyrë dhe këmbë, të marra gjatë një sulmi ajror në fillim të konfliktit, ku humbi jetën babai i tij.
Zhvillimet në Pakistan priten të përcaktojnë nëse ekziston një bazë reale për de-përshkallëzim të tensioneve, ndërsa qëndrimet e kujdesshme nga të dyja palët tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e pasigurt.