Janë publikuar pamjet nga brenda apartamenteve të përfshira nga zjarri në kompleksin pranë QSUT në Tiranë, ku dëmet rezultojnë shkatërruese.
Siç shihet nga videoja, flakët kanë shkrumbuar pothuajse çdo gjë brenda banesave, duke djegur mobiliet, pajisjet elektroshtëpiake dhe sendet personale të banorëve. Në disa ambiente, dëmtimet janë aq të mëdha sa kanë prekur edhe vetë strukturën e brendshme të apartamenteve.
Muret dhe tavanet shfaqen të nxira dhe të dëmtuara rëndë nga temperaturat e larta, ndërsa në disa raste duket se zjarri ka depërtuar thellë në strukturë, duke e bërë banesën të pabanueshme.
Pamjet tregojnë për një intensitet të lartë të flakëve, që kanë përfshirë jo vetëm fasadën, por edhe hapësirat e brendshme të godinës, duke përhapur dëme të mëdha materiale.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve në ditët në vijim.