Të dhënat e fundit mbi trafikun detar tregojnë se, që prej vendosjes së bllokadës amerikane të hënën, të paktën 15 anije kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë.
Sipas një analize të “BBC Verify”, nëntë prej këtyre anijeve kanë pasur lidhje me Iranin, ndërsa disa prej tyre kishin ndaluar më herët në porte iraniane.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka sqaruar se bllokada zbatohet vetëm për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, ndërsa ato që kalojnë drejt porteve të tjera nuk pengohen.
Në një përditësim zyrtar, Centcom deklaroi se gjatë 36 orëve të para të operacionit nuk ka pasur asnjë anije që të ketë kaluar në kundërshtim me urdhrat, ndërsa gjashtë mjete lundruese janë detyruar të kthehen pas.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë verifikuar plotësisht nga burime të pavarura. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se të paktën një anije ka ndryshuar kurs gjatë lundrimit.
Bëhet fjalë për tankerin “Rich Starry”, i cili ishte nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt lindjes përmes ngushticës, por më pas është kthyer duke hyrë sërish në Gjirin Persik.
Ndërkohë, dy anije me flamur iranian janë vëzhguar duke u larguar nga zona pranë portit Chabahar, në jug të Iranit, pas nisjes së bllokadës.
Situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar, ndërsa lëvizjet e anijeve po monitorohen nga afër në një nga pikat më strategjike të transportit global të energjisë.
