Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mund t’i japë fund armëpushimit me Iranin , nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë për t’i dhënë fund luftës.
“Mund të mos e zgjas, por bllokada (mbi portet iraniane) do të mbetet”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One, duke u kthyer në Uashington nga Phoenix.
“Pra, ka një bllokadë dhe për fat të keq na duhet të fillojmë të hedhim bomba përsëri.”, tha presidenti.
Ndërkohë, komanda e përbashkët ushtarake e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) ka lëshuar një deklaratë ku pretendon se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit tani është “kthyer në gjendjen e mëparshme” për shkak të bllokadës së vazhdueshme të porteve iraniane nga SHBA-ja.
Në një deklaratë të cituar nga transmetuesi IRIB i Iranit, komanda e IRGC tha se SHBA-ja ka “vazhduar aktet e piraterisë dhe vjedhjes detare nën maskën e një të ashtuquajture bllokadë”.
“Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kjo rrugë ujore strategjike tani është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë nga forcat e armatosura”, tha ajo.
“Derisa Shtetet e Bashkuara të rivendosin lirinë e plotë të lundrimit për anijet që udhëtojnë nga Irani për në destinacionet e tyre dhe anasjelltas, statusi i Ngushticës së Hormuzit do të mbetet i kontrolluar rreptësisht dhe në gjendjen e mëparshme”, tha komanda e IRGC-së.