Një incident i rëndë është regjistruar në IEVP Reç, ku dy të paraburgosur janë përfshirë në një episod dhune dhe tensioni brenda ambienteve të sigurisë.
Raportohet se Françesko Doçi dhe Ardian Gjoka, të vendosur më herët në regjim të veçuar për shkak të një incidenti tjetër me një të paraburgosur, kanë shkaktuar dëmtime në qelinë e tyre, duke thyer derën e tualetit dhe duke dëmtuar pajisje të tjera.
Situata ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të punonjësve të burgut, të cilët kanë arritur të neutralizojnë dy personat. Gjatë përplasjes, një gardian ka mbetur i lënduar në pjesën e ballit, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të njëjtave burime, në kulmin e tensionit, njëri prej të paraburgosurve dyshohet se ka tentuar të ndezë një bombul gazi dhe t’i vendosë flakën qelisë, veprim që është parandaluar në kohë nga stafi i sigurisë.
Pas incidentit, autoritetet kanë vendosur transferimin e menjëhershëm të Doçit dhe Gjokës në burgun 313, ndërsa pritet dërgimi i tyre në një institucion të sigurisë së lartë. Ndaj tyre janë marrë masa disiplinore të izolimit për tre muaj dhe është nisur procedim penal për disa vepra penale.