Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, riktheu kritikat ndaj vendeve europiane gjatë një deklarate për mediat, duke vënë në dyshim seriozitetin e përpjekjeve të tyre në çështjet e sigurisë energjetike.
Hegseth kritikoi ashpër aleatët evropianë për mosndihmë të mjaftueshme të SHBA-së në luftën e saj kundër Iranit, duke thënë se SHBA-të “mezi” e përdorin Ngushticën e Hormuzit dhe se situata “është shumë më tepër lufta e tyre sesa e jona”.
“Ne nuk po mbështetemi te Evropa, por ata kanë nevojë për Ngushticën e Hormuzit shumë më tepër sesa ne, dhe mund të duan të fillojnë të flasin më pak dhe të kenë konferenca më pak të sofistikuara në Evropë dhe të hipin në një barkë”, tha Hegseth gjatë një konference për shtyp në Pentagon.
“Kjo është shumë më tepër lufta e tyre sesa e jona”, tha ai.
I pyetur për mungesat e karburantit të avionëve në Europë dhe nëse ndonjë vend ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për situatën në Ngushticën e Hormuzit, Hegseth u shpreh në mënyrë përçmuese ndaj një takimi të fundit në Europë.
Hegseth theksoi se SHBA do të mirëpriste angazhime më konkrete nga aleatët europianë, duke nënvizuar se këta të fundit janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve në sigurinë energjetike, veçanërisht në lidhje me Ngushticën e Hormuzit.
Ai shtoi se situata duhet të shërbejë si një “sinjal alarmi” për vendet në mbarë botën.
“Ose keni kapacitete, ose nuk keni. Përndryshe, mbeteni në mëshirën e një vendi si Irani, dhe i vetmi vend që mund të ndërhyjë është ushtria e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Hegseth.
Hegseth dhe Presidenti Donald Trump kanë kritikuar vazhdimisht aleatët e SHBA-së, veçanërisht ata në NATO, për mosndihmë të SHBA-së pasi ajo filloi operacionet luftarake kundër Iranit më 28 shkurt.
Trump sulmoi ashpër aleatët evropianë muajin e kaluar, duke thënë se SHBA-të “nuk kanë nevojë për ndihmë në të vërtetë” pasi këmbënguli që vendet e tjera duhet të dërgojnë asete detare për të ndihmuar në shoqërimin e cisternave të naftës që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.