Një incident i rëndë sigurie ndërpreu mbrëmjen e së shtunës darkën tradicionale të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u evakuan me urgjencë pas të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në sallën e hotelit Washington Hilton, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve dhe si pasoj u plagos një oficer sigurie.
Sipas autoriteteve, një person i dyshuar u arrestua në vendngjarje nga FBI, ndërsa Shërbimi Sekret konfirmoi se incidenti ndodhi pranë zonës kryesore të kontrollit të sigurisë në hyrje të hotelit.
Gazetarët dhe të ftuarit u detyruan të fshiheshin poshtë tavolinave, ndërsa agjentët e sigurisë nxorën armët dhe bërtisnin “të shtëna me armë”.
Në një deklaratë më vonë nga Shtëpia e Bardhë, Trump vlerësoi reagimin e forcave të rendit, duke bërë të ditur se një agjent i Shërbimit Sekret ishte goditur nga një plumb, i cili u ndal nga jeleku antiplumb. Ai shtoi se hetuesit po drejtohen drejt rezidencës së të dyshuarit në
Presidenti e cilësoi ngjarjen si të papritur, por theksoi se reagimi ishte profesional dhe i shpejtë. Ai gjithashtu kritikoi sigurinë e hotelit, duke sugjeruar zhvillimin e eventeve të tilla në ambiente më të sigurta, si një sallë e dedikuar në Shtëpinë e Bardhë.
Presidentja e shoqatës së gazetarëve, Weijia Jiang, njoftoi se eventi do të riplanifikohet brenda 30 ditëve të ardhshme. Ndërkohë, figura të pranishme si kongresmeni Jamie Raskin dhe gazetari Wolf Blitzer përshkruan momente paniku dhe konfuzioni.
Kjo darkë, një traditë që daton që nga viti 1921, zhvillohej këtë vit në një atmosferë të tensionuar, duke pasur parasysh edhe precedentët historikë, përfshirë atentatin ndaj Ronald Reagan në të njëjtin hotel në vitin 1981.
I armatosuri që u vu në pranga gjatë darkës është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Kalifornia, shkruan CNN.
Shefi i përkohshëm i policisë në Washington DC, Jeffery Carroll, deklaroi para gazetarëve se i dyshuari kishte disa armë me vete ndërsa “u vërsul” drejt një pike kontrolli të Shërbimit Sekret.
— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) April 26, 2026
“Ai ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika”, tha Carroll.
“Ndërsa kaloi me vrap nëpër atë pikë kontrolli, forcat e rendit nga Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara e neutralizuan”. Carroll shtoi se i dyshuari dhe oficerët “shkëmbyen zjarr”.
Sipas prokurores federale Jeanine Pirro, personi i arrestuar do të përballet me dy akuza: përdorim i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një oficeri federal me armë të rrezikshme.