Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, duke thelluar përplasjen mbi qasjen ndaj Iranit dhe negociatave ndërkombëtare.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump sulmoi drejtpërdrejt liderin gjerman, duke deklaruar se ai “nuk e ka idenë për çfarë po flet”. Reagimi erdhi pasi Merz kishte sugjeruar se Irani po tregohet më i fortë nga sa pritej dhe se Shtetet e Bashkuara nuk po paraqesin një strategji bindëse në negociata.
Trump e bëri të qartë se çështja bërthamore mbetet vijë e kuqe absolute. “Nëse Irani do të kishte armë bërthamore, e gjithë bota do të ishte peng,” shkroi ai, duke shtuar se është duke ndërmarrë veprime që, sipas tij, duhej të ishin bërë shumë kohë më parë nga liderë të tjerë.
Ai e zgjeroi kritikën edhe ndaj Gjermanisë, duke e lidhur qëndrimin e saj me performancën e vendit.
“Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, mendon se është në rregull që Irani të ketë një armë bërthamore. Ai nuk e di për çfarë po flet! Nëse Irani do të kishte një armë bërthamore, e gjithë bota do të ishte peng. Unë po bëj diçka me Iranin, tani, që vende të tjera, ose presidentë të tjerë, duhet ta kishin bërë shumë kohë më parë. Nuk është çudi që Gjermania po shkon kaq keq, si ekonomikisht, ashtu edhe në drejtime të tjera”, shkruan Trump.
Nga ana tjetër, kancelari Friedrich Merz kishte paralajmëruar për kompleksitetin e situatës me Iranin, duke argumentuar se udhëheqja iraniane po ushtron presion ndaj SHBA-ve dhe po tregohet një negociatore e aftë. Ai kishte theksuar gjithashtu se përvoja në konflikte si Afganistani dhe Iraku tregon se hyrja në kriza është më e lehtë sesa gjetja e një daljeje.
Merz kishte ngritur pikëpyetje mbi qartësinë e strategjisë amerikane, duke vënë në dukje se mbetet e paqartë se si Uashingtoni synon të dalë nga kjo situatë.
Përplasja publike mes dy liderëve nxjerr në pah dallimet në qasjen transatlantike ndaj Iranit dhe vjen në një moment tensionesh të larta gjeopolitike, me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë ndërkombëtare dhe tregjet energjetike.