Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të mbajë të enjten më 30 prill një takim me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja.
Takimi është caktuar në orën 15:00 dhe në të janë ftuar të gjitha partitë politike në vend.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa në takim do të jenë edhe partitë e komuniteteve joshumicë.
Shumica e tyre kanë treguar se janë të gatshëm të marrin pjesë dhe kanë dhënë edhe qëndrime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, ku më shpesh përmenden 31 maji dhe 7 qershori.
Disa përfaqësues të komuniteteve kanë thënë se nuk kanë preferenca të forta, ndërsa të tjerë kanë shprehur se data më e përshtatshme do të ishte 7 qershori, për shkak të kohës më të madhe për organizim.
Ky takim vjen pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Pas kësaj situate, Kuvendi u shpërnda dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Haxhiu ka afat ligjor që brenda dhjetë ditësh të përcaktojë datën e zgjedhjeve, ndërsa në diskutim mbeten dy opsione kryesore: 31 maji ose 7 qershori.