Një emergjencë serioze shëndetësore në anijen turistike MV Hondius ka ngritur alarmin ndërkombëtar, pasi disa pasagjerë amerikanë janë rikthyer në Shtetet e Bashkuara pas një shpërthimi të dyshuar të hantavirusit.
Sipas raportimeve, më 11 maj pasagjerët amerikanë u evakuuan dhe u transportuan drejt SHBA-së, pasi në bord u regjistruan raste të konfirmuara ose të dyshuara infeksioni, si edhe viktima. Të paktën tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 11 të tjerë janë vendosur në karantinë dhe po mbahen nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.
Pas ankorimit të anijes në Ishujt Kanarie, udhëtarët u transferuan me avionë ushtarakë dhe qeveritarë, ndërsa ekipe mjekësore të pajisura me veshje mbrojtëse i shoqëruan deri në tokë në Tenerife.
Autoritetet shëndetësore kanë urdhëruar izolim 42-ditor për personat e ekspozuar, në përputhje me protokollet për monitorimin e sëmundjeve infektive. Ndërkohë, një strukturë mjekësore në Nebraska është angazhuar për ndjekjen e rasteve që lidhen me qytetarët amerikanë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe teoritë që lidhen me serialin e animuar “The Simpsons”, i cili prej vitesh komentohet në rrjet për “parashikime” të ngjarjeve reale.
Sipas përdoruesve në rrjetet sociale, një episod i transmetuar në vitin 2012 (Sezoni 23, Episodi 19) paraqet një skenar të ngjashëm, ku një anije turistike përfshihet nga një emergjencë biologjike dhe një virus vdekjeprurës përhapet me shpejtësi mes pasagjerëve, duke shkaktuar panik dhe masa karantine.
Në episodin në fjalë, gjatë një njoftimi emergjent, një figurë ushtarake paralajmëron për përhapjen e virusit dhe kërkon që pasagjerët të mos lejohen të zbresin në port, ndërsa situata trajtohet si një krizë globale shëndetësore.
Përkrahësit e teorive konspirative e kanë lidhur menjëherë këtë episod me ngjarjet aktuale në MV Hondius, duke pretenduar se seriali kishte “parashikuar” situatën vite më parë.
Po ashtu, fansat e “The Simpsons” rikujtojnë edhe raste të tjera që sipas tyre janë “parashikuar” nga seriali, si presidenca e Donald Trump, përdorimi i orëve inteligjente apo teknologjia e video-thirrjeve.
Megjithatë, ekspertët argumentojnë se këto ngjashmëri janë thjesht rastësi narrative të një seriali satirik që përdor shpesh skenarë futuristë dhe ekzagjerime artistike, e jo parashikime reale të ngjarjeve botërore.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e saktë të shpërthimit dhe për të garantuar sigurinë e pasagjerëve të tjerë të përfshirë në incident.