Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u kërkoi vendeve të rrisin gatishmërinë për raste të tjera me hantavirus, pas përkeqësimit të gjendjes së një 65-vjeçareje franceze të infektuar në anijen turistike “MV Hondius”.
Autoritetet shëndetësore franceze bëjnë të ditur se gruaja, e prekur nga varianti Ande i virusit, ndodhet në terapi intensive dhe është futur në intubim, për shkak të komplikacioneve të rënda kardiopulmonare.
Gjatë një konference në Madrid, Tedros vlerësoi Spanjën për mënyrën si menaxhoi situatën me pasagjerët e anijes dhe u bëri thirrje autoriteteve të zbatojnë protokollet e OBSH-së, që parashikojnë karantinë 42-ditore dhe mbikëqyrje të kontakteve me risk të lartë.
Sipas tij, deri tani nuk ka sinjale për një përhapje më të gjerë, por periudha e gjatë e inkubacionit mund të sjellë raste të reja në javët në vijim.
“MV Hondius”, që po udhëtonte nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër, u kthye në fokus të autoriteteve shëndetësore pasi tre persona, një çift nga Holanda dhe një shtetas gjerman, humbën jetën nga virusi.
OBSH sqaroi se hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit e egër, por në raste të rralla mund të kalojë edhe nga njeriu te njeriu përmes kontakteve të afërta.
Deri tani janë konfirmuar 11 raste me variantin Ande, mes tyre një shtetase amerikane dhe gruaja franceze që u evakuuan nga anija.
Ndërkohë, Ministria spanjolle e Shëndetësisë njoftoi se një prej 14 personave të karantinuar në një spital ushtarak në Madrid rezultoi pozitiv. Ai paraqet simptoma të lehta respiratore dhe ndodhet në gjendje stabile.
Tedros paralajmëroi se kontaktet e shumta mes pasagjerëve përpara identifikimit të rastit të parë më 2 maj mund të çojnë në infektime të tjera.
Pas refuzimit të autoriteteve të Kepit të Gjelbër për të lejuar ankorimin e anijes, mbi 120 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u transferuan në Tenerife në një operacion të organizuar nga autoritetet spanjolle.
Nga ana tjetër, ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, deklaroi se deri tani nuk ka prova që virusi të ketë pësuar mutacion, ndërsa analizat laboratorike vijojnë.