Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të vendosë në funksion deri në fund të këtij viti raketën e re strategjike bërthamore “Sarmat”, të cilën e cilësoi si “më të fuqishmen në botë”.
Deklarata u bë gjatë një takimi të transmetuar në televizion me komandantin e Forcave Strategjike të Raketave, gjeneralin Sergei Karakayev. Sipas Putin, raketa ka një fuqi shkatërruese disa herë më të madhe se sistemet perëndimore dhe një rreze veprimi që tejkalon 35 mijë kilometra.
“Ajo ka aftësinë të depërtojë të gjitha sistemet ekzistuese dhe të ardhshme të mbrojtjes kundërraketore”, deklaroi presidenti rus.
Vendosja e sistemit “Sarmat” vjen pas disa vitesh vonesa dhe probleme teknike gjatë testimeve. Ekspertë perëndimorë kanë raportuar se një test i zhvilluar në shtator të vitit 2024 dështoi, duke shkaktuar një krater të madh në silon e lëshimit.
Megjithatë, televizioni shtetëror rus transmetoi pamje ku gjenerali Karakayev raportonte për një testim të suksesshëm të raketës gjatë së martës.
Sipas komandantit rus, sistemet e pajisura me raketën “Sarmat” do të rrisin ndjeshëm kapacitetin e forcave strategjike bërthamore tokësore të Rusisë dhe do të forcojnë aftësinë parandaluese të vendit.
Analistët perëndimorë të sigurisë kanë shprehur më herët skepticizëm ndaj disa prej pretendimeve të Kremlinit për armët e reja strategjike, duke argumentuar se Moska ka ekzagjeruar kapacitetet e tyre reale si pjesë e programit të modernizimit ushtarak të shpallur nga Putin në vitin 2018.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022, presidenti rus ka përmendur në mënyrë të përsëritur arsenalin bërthamor të vendit, në deklarata që Perëndimi i ka interpretuar si përpjekje për të penguar një përfshirje më të drejtpërdrejtë në mbështetje të Ukrainës.