Një gjykatë turke vendosi të vazhdojë paraburgimin e ish-kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në kuadër të çështjes për “spiunazh politik”. Në të njëjtën çështje akuzohen edhe Huseyin Gun, Necati Ozkan dhe Merdan Yanardag.
Çështja u shqyrtua nga Gjykata e 25-të e Krimeve të Rënda në Stamboll, në një sallë përballë burgut të sigurisë së lartë Marmara. Katër të pandehurit morën pjesë në seancë së bashku me avokatët e tyre.
Gjykata vendosi të mbajë në fuqi masën e paraburgimit për të gjithë të pandehurit dhe shtyu vijimin e procesit për më 6 korrik.
Imamoglu ishte shkarkuar më herët nga detyra e kryebashkiakut të Stambollit pas arrestimit në një hetim tjetër, që lidhet me dyshimet për një “organizatë kriminale me motive financiare”.
Gjatë seancës, prokurori paraqiti një kërkesë të ndërmjetme dhe kërkoi vazhdimin e mbledhjes së provave.
Prokuroria kërkoi nga Autoriteti turk i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të dorëzojë të dhëna për adresat IP dhe serverët që përdorte Bashkia Metropolitane e Stambollit.
Po ashtu, prokurori kërkoi dërgimin e dokumenteve te Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, MIT, dhe te Drejtoria e Antiterrorit, për të shqyrtuar regjistrat e sigurisë dhe hyrjet në sistemet informatike të bashkisë.
Sipas kërkesës së prokurorisë, qëllimi është të verifikohet nëse ka pasur hyrje të paautorizuara, rrjedhje të dhënash ose cenim të llogarive të lidhura me postën elektronike dhe infrastrukturën digjitale të bashkisë.
Prokurori argumentoi se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshimin mbi veprat penale, se hetimi nuk ka përfunduar dhe se masat më të lehta kufizuese nuk janë të mjaftueshme në këtë fazë.
Në aktakuzën e hartuar nga Prokuroria e Stambollit thuhet se veprat e dyshuara janë kryer gjatë periudhës 2019-2025.
Sipas aktakuzës, në pajisjet digjitale të sekuestruara te Huseyin Gun u gjetën të dhëna që i përkisnin bazës së të dhënave të Bashkisë së Stambollit dhe që përmbanin informacione personale të qytetarëve.
Prokuroria pretendon se këto të dhëna u morën përmes Necati Ozkanit. Sipas aktakuzës, Ozkan dyshohet se, me urdhër të Imamoglut, transferoi adresa elektronike dhe fjalëkalime të bashkisë në një platformë në internet të quajtur “Ostin”, e cilësuar si pjesë e “dark web”.