Disa xhami kanë njoftuar vdekjen e Izz al-Din al-Haddad, komandantit ushtarak të Hamasit, pas një sulmi ajror të kryer nga Izraeli në qytetin e Gazës.
Sulmi goditi një ndërtesë banimi në lagjen Rimal, ndërsa pak minuta më vonë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmuan se objektivi i operacionit ishte pikërisht Haddad.
Në deklaratën zyrtare, autoritetet izraelite e përshkruan atë si “komandantin e krahut ushtarak të Hamasit dhe një nga arkitektët kryesorë të masakrës së 7 tetorit”. Ata shtuan se “Al-Haddad ishte përgjegjës për vrasjen, rrëmbimin dhe dëmin e shkaktuar ndaj mijëra civilëve izraelitë dhe ushtarëve të IDF-së”.
Deri tani, Hamasi nuk ka reaguar zyrtarisht mbi raportimet për vdekjen e komandantit të tij ushtarak, ndërsa tensionet në Gaza mbeten të larta pas sulmit izraelit.