Aktivisti shqiptar ishte pjesë e misionit humanitar “Sumud”, kontaktet janë ndërprerë pas ndërhyrjes së marinës izraelite në ujërat ndërkombëtare
Tension i lartë në Mesdheun Lindor, pasi marina izraelite ka ndërhyrë ndaj flotiljes humanitare “Global Sumud Flotilla”, duke ndaluar njëra pas tjetrës të 54 anijet që ishin nisur nga Turqia drejt Gazës me ndihma humanitare.
Pamjet e fundit të publikuara nga transmetimet live tregojnë momentin kur ushtarët izraelitë me gomone “Zodiac” afrohen pranë anijeve, ndërsa aktivistët shfaqen me jelekë shpëtimi dhe duart lart. Më pas çdo komunikim është ndërprerë dhe për disa prej personave në bord nuk ka më asnjë informacion publik mbi vendndodhjen apo gjendjen e tyre.
Situata u rëndua edhe më shumë pasi zëdhënësja italiane e flotiljes, Maria Elena Delia, deklaroi se marina izraelite ka hapur zjarr ndaj disa prej anijeve.
“Spo dimë nëse janë plumba gome apo të vërtetë”, deklaroi ajo, duke pretenduar se të paktën gjashtë anije janë goditur gjatë operacionit.
Sipas autoriteteve italiane, të paktën 27 shtetas italianë janë ndaluar dhe anijet po shoqërohen drejt portit izraelit të Ashdodit. Ndërkohë, disa shtete europiane, mes tyre Italia, Spanja, Irlanda dhe Turqia, kanë kërkuar informacion dhe lirimin e qytetarëve të tyre.
Mes personave të arrestuar ndodhet edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili ishte pjesë e flotiljes humanitare “Sumud”. Ai dyshohet se është ndaluar nga autoritetet izraelite në ujërat ndërkombëtare gjatë operacionit të marinës.
Por deri në këto momente nuk ka asnjë informacion të qartë se ku ndodhet shqiptari, në çfarë gjendjeje është dhe nëse ka pasur kontakt me autoritetet shqiptare apo familjarët e tij.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi duke deklaruar se është vënë në dijeni të rastit dhe se po ndjek çështjen përmes kanaleve diplomatike.
“Ministria është në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar”, thuhet në reagimin zyrtar.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik asnjë detaj konkret mbi vendin ku po mbahet Baki Goxhaj, nëse ai është transferuar në ndonjë port izraelit apo nëse ka pasur akses konsullor.
Ndërkohë, Izraeli vijon ta konsiderojë flotiljen një “provokim politik”, ndërsa aktivistët këmbëngulin se misioni kishte karakter ekskluzivisht humanitar dhe synonte dërgimin e ndihmave për civilët në Gaza.