Dy bashkëpunëtorë italianë të kthyer nga Uganda po trajtohen në spitalin “Sacco”, ndërsa autoritetet presin rezultatet e analizave.
Autoritetet shëndetësore italiane aktivizuan protokollin special për Ebola në spitalin “Sacco” të Milanos, pasi dy persona të kthyer nga Uganda shfaqën simptoma të dyshimta.
Bëhet fjalë për një burrë 31 vjeç dhe një grua 33 vjeçe, të cilët mbërritën të dielën në aeroportin Malpensa me një fluturim nga Addis Abeba dhe më pas u kthyen në zonën e Como-s.
Sipas autoriteteve lombarde, të dy janë bashkëpunëtorë italianë që kishin kaluar tre muaj me misionarët kombonianë në Ugandë, pranë kufirit me Kongon, ku është regjistruar një shpërthim i Ebola-s.
Gjatë natës, të dy shfaqën simptoma si temperaturë e lartë, të përziera, të vjella dhe probleme intestinale. Gruaja paraqiti edhe simptoma neurologjike dhe ndodhet në gjendje më të rëndë.
Ata u transportuan me dy ambulanca të ndara drejt spitalit “Sacco”, ku u shtruan në dhoma izolimi. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që gruaja të transferohet në terapi intensive.
Rezultatet e analizave priten brenda mbrëmjes.
Këshilltari për Shëndetësinë në rajonin e Lombardisë, Guido Bertolaso, deklaroi se simptomat mund të lidhen edhe me malarien, pasi vajza e 33-vjeçares ishte prekur nga kjo sëmundje gjatë qëndrimit në Afrikë.
“Ekziston edhe mundësia e malaries, por aktualisht nuk mund të përjashtohet Ebola”, tha Bertolaso.
Ndërkohë, familjarët e dy pacientëve janë vendosur në izolim paraprak në pritje të rezultateve të testeve.
Ministria italiane e Shëndetësisë ka nisur verifikimet për kontaktet dhe udhëtimet e tyre. Në rast se konfirmohet Ebola, pacientët pritet të transferohen në spitalin “Spallanzani” të Romës, i specializuar për trajtimin e rasteve të tilla.
Autoritetet kujtojnë se Ebola transmetohet përmes lëngjeve trupore dhe kontaktet e afërta duhet të qëndrojnë në izolim për 21 ditë.