Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Arizona, ku një 38-vjeçare qëlloi me armë bashkëshortin e saj dhe një grua që ndodhej me të në një bar, përpara se të kthehej në shtëpi, ku vrau dy fëmijët e saj të mitur dhe më pas kreu vetëvrasje.
Sipas “New York Post”, Andrea Clarice Davis shkoi me makinë në lokalin ku ndodhej bashkëshorti i saj 39-vjeçar, Nolan Davis, së bashku me një grua 36-vjeçare. Ajo hapi zjarr ndaj tyre, ndërsa gruaja u qëllua në pjesën e pasme të kokës teksa po përpiqej të largohej me makinë, deklaroi zëdhënësi i policisë së Glendale, Jose Santiago.
Pas sulmit, Andrea u kthye në banesën e familjes në Phoenix dhe i dërgoi një mesazh bashkëshortit ku paralajmëronte se do t’u bënte keq dy fëmijëve të tyre. Sipas policisë, ajo i dërgoi edhe një foto tronditëse të njërit prej fëmijëve duke gjakosur nga koka.
Babai njoftoi menjëherë policët që ndodheshin në lokal, të cilët dërguan forca drejt shtëpisë së çiftit. Kur hynë në banesë, efektivët gjetën të pajetë Andrean dhe dy fëmijët e saj: 10-vjeçarin Austin dhe djalin 18-muajsh, Antolan.
“Duke qenë se e dinim që situata ishte kritike, policët hynë menjëherë në banesë dhe aty panë atë skenë të tmerrshme”, tha zëdhënësi Jose Santiago.
Gruaja e plagosur në lokal ndodhet në spital me plagë që nuk rrezikojnë jetën.
Policia nuk ka sqaruar ende natyrën e marrëdhënies mes Nolan Davis dhe gruas së plagosur, por konfirmoi se ata njiheshin me njëri-tjetrin.
Sipas mikeshës së ngushtë të autores, Andrea ishte e bindur se bashkëshorti po e tradhtonte me një kolege dhe kjo situatë e kishte destabilizuar psikologjikisht.
“Ajo marrëdhënie e bëri të humbiste plotësisht kontrollin. Andrea nuk ndihej mirë dhe kërkonte ndihmë nga të gjithë. Nuk ishte sekret”, tha mikja e saj, Amy Bowers.
Hetimet për të shtënat në lokal po drejtohen nga policia e Glendale, ndërsa vrasja e fëmijëve dhe vetëvrasja po hetohen nga policia e Phoenix.