Belinda Balluku po hetohet për tre afera nga SPAK, ja akuzat që rëndojnë mbi ish-zv/kryeministren dhe sa vite burg rrezikon
Avokatja e njohur, Adriana Kalaja ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke konfirmuar se ajo po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në tre dosje mëdha korrupsioni: aferën “Bankers”, skandalin e “Albcontrol-it” dhe çështjen e tenderave publikë “Rrugëve” e lejeve të ndërtimit. Teksa ishte e ftuara në një studio televizive, zonja Kalaja denoncoi se Prokuroria e Posaçme po shkel në mënyrë të përsëritur afatet ligjore 6-mujore të hetimit, duke shtyrë procedurat për t’i hapur rrugë amnistimit të saj në gjykatë.
Sipas avokates, nga rikualifikimi dhe shtimi i veprave penale që lidhen me kontrollin e 10 miliardë eurove tenderime dhe pasurinë e paluajtshme, ish-zyrtarja e lartë rrezikon një dënim rekord deri në 35 vite burg. Më poshtë po pasqyrojmë pjesë nga intervista e avokat Kalaja, ndërsa kujtojmë se së fundmi, zhvillime të reja dramatike kanë rënduar pozitat ligjore të ish-ministres së Transporteve dhe Energjisë, Belinda Balluku. Javën që shkoi, Prokuroria e Posaçme konstatoi se Belinda Balluku paracaktoi fatin e të gjithë tenderave të Unazës së Madhe në Tiranë.
Konkretisht të premten e 31 korrikut 2026, SPAK i komunikoi zyrtarisht statusin e të pandehurës ish-zv/kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku për tenderat e 6 loteve të mbetura, pasi më herët ishte marrë nën akuzë për lotin nr. 4 të Unazës dhe Tunelin e Llogarasë. Me këtë vendim, ndaj Ballukut tashmë rëndojnë akuzat e shkeljes së barazisë në 8 procedura tenderimi gjithsej, me një vlerë totale që kalon 600 milionë euro. Megjithëse ishte njoftuar të paraqitej në SPAK rreth orës 10:00, ku po e prisnin një grup të rinjsh protestues, Balluku u paraqit me avokatin e saj rreth orës 14:00.
Përveç akuzave të reja, Ballukut iu komunikua edhe zgjatja me 3 muaj e hetimeve, njëjtë si dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Fillimisht Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e vitit 2025 vetëm për tunelin e Llogarisë, tender me vlerë 190 milionë euro. Më pas SPAK njoftoi se e akuzonte zyrtarisht ministren e asaj kohe edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërkohë që vijonte hetimet për të gjithë këtë projekt madhor.
Për të shtata procedurat tenderuese të Unazës së Madhe SPAK ka biseda të Belinda Ballukut me vartësit e saj, të gjetura kryesisht nga telefoni i kreut të ARRSH Ervis Berberi. SPAK thotë në dosje se nga provat ka rezultuar se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse formalisht kompetencat ia delegonte vartësve të saj, i ndiqte personalisht procedurat e tenderave, nga faza përgatitore, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, e deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorët ekonomik fitues. Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të GJKKO.
Pjesë nga intervista:
Kalaja: E para faleminderit për ftesën, ndjehem shumë e vlerësuar që vij pikërisht në mbyllje të sezonit, në fakt një sezon fantastik për gjithë televizionin, po sidomos për emisionin tënd që unë kam qenë realisht në çdo moment e nderuar që kam qenë pjesë e tij. Ndërkohë çadra e… zotit Brahos uroj të mos e nguli tek plazhi i Olta Xhaçkës, sepse dhe ai e ka, edhe ajo e kishte shumë problem se nuk e di nga e pretendon veten ky nga mali apo nga fusha.
Dhe tjetra që, në fakt, problemi për mua konsiston më shumë tek këto çadrat që këto i lënë hapur apo i marrin me vete për t’i hapur në ndonjë moment të caktuar, sepse do vijë dita që nuk do ketë çadër që t’i mbulojë nga dielli, nga shiu, nga furtuna, që e pret shumë shpejt jo vetëm gjithë maxhorancën, por edhe vetë prokurorë të caktuar të SPAK-ut për ato veprime që kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.
Unë e kam denoncuar para disa kohëve, se në informacionet që kam, po edhe nga deklarata që bëra përpara SPAK-ut, lidhje me çështjen Bankers, një çështje në fakt e denoncuar fillimisht nga Plugu, ku mora informacion se jo vetëm që kjo çështje është për t’i thënë bravo, po ec me hapa të shpejtë. Nga ana tjetër kuptova që ndaj zonjës Balluku apo të pandehurës Balluku, se në fakt këto nuk e meritojnë fjalën zonjë, po hetoheshin në tre drejtime.
Drejtimi i parë është ky ku është shpallur e pandehur, çështja tjetër është çështja e Bankers, dhe një çështje shumë e rëndësishme që edhe aty kam informacione që po hetohet në mënyrë të thelluar është çështja e Albcontrol-it. Pra, çështja ku ka qenë drejtuese Belinda Balluku në Albcontrol. Unë mendoj se kjo është një tentativë ashtu si për Erion Veliajn dhe do ta sqaroj pse kam këtë opinion.
Gazetari: Ka rënë sot pa prekur Ramën.
Kalaja: Po. Domethënë që të preken të gjithë elementët keqbërës të Belinda Ballukut…
Gazetari: Të individit.
Kalaja: E para pa shkuar tek Rama, sepse po hetohen lejet e ndërtimit do shkohet te Rama. Po të hetohen shumë tendera të tjerë do shkohet te Rama. Kështu që është zgjedhur e njëjta strategji me Erion Veliajn, ku në informacionet që kam, po hetohet edhe pasuria. Tani janë dhënë urdhër kontrollet për 4 objekte thuhet. Tani pyetja që duhet të bëjmë ne të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht krahut ku jemi, është që 4 nga 300 apartamente si mund të seleksionohen? Sepse duhet të na sqarojë njëherë SPAK-u, a është e vërtetë që janë 300 apartamente në emër të Belinda Ballukut? Sepse nëse bëjmë një llogari të thjeshtë të nderuar, vetëm me 1 milion euro tender, një tender i dhënë në Albcontrol në 2014-ën…
Gazetari: Ish-Anta.
Kalaja: …ish-Anta, Belinda Balluku ka përfituar një vilë 146 mijë euro, ë? Që është fshehur në emrin e X-it dhe Y-it që të mos merremi me emra të përveçëm. Ndërkohë, ndërkohë, gjatë kohës që ka qenë drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, ka tenderuar 10 miliardë euro. Pra ka qenë ministria me buxhetin më të madh, ose 67% të buxhetit të të gjithë Shqipërisë.
Tani sa i bie llogaria me 10 miliardë euro tenderime? Vetëm kjo është llogaria minimaliste që duhet të bëjë SPAK-u duke hetuar pasurinë, por mbi të gjitha duke ndjekur paranë. Unë mendoj që SPAK-u nuk po e bën dhe kam rezervat e mia pasi nuk kemi një informacion të zgjeruar. Ligji i nderuar Flavio, po edhe për interes të qytetarëve, thotë që në momentin që regjistrohet një kallëzim penal në emër të personit…
Gazetari: Të subjektit.
Kalaja: …të subjektit, atëherë SPAK-u ka 6 muaj kohë. As 6 muaj e 7 ditë, as 7 muaj apo 10 muaj siç e ka bërë SPAK-u. Pra nëse Belinda Ballukut i është komunikuar apo ka marrë statusin e të pandehur në 30 nëntor të 2025-ës, atëherë sipas ligjit me 30 prill, në 30 prill kam llogaritur unë, duhet të shkonte dosja në gjykatë. Ose për pushim, ose për gjykim. Këto janë alternativat, nuk janë në përzgjedhjen e prokurorit apo të gjyqtarit. Thotë brenda 6 muajve duhet të mbyllet dosja, e pushon, e kalon për gjykim, është çështje vendimmarrje e SPAK-ut.
Ndërkohë, ndërkohë, ne kemi një shtyrje afatesh pikërisht me datë 31 korrik. Do të njoftohet po është bërë para dy ditëve. Tani pyetja që kam unë: a mos po tentohet që të shkelet procedura me qëllim që amnistohet atij të vijë në gjykatë për shkak të shkeljeve të procedurës? Sepse edhe vetë prokurorët e SPAK-ut e kanë parë që me ato prova që janë nuk mund të amnistohet? Këtë përgjigje unë pres nga SPAK-u, po do ja lëmë dhe kohës.
Në këndvështrimin tim, ka një shkelje të rëndë të procedurës sepse siç e thashë, nëse do ishin përpara veprës penale ku nuk vërtetohet që janë konsumuar nga Belinda Balluku, atëherë çështja mund të shkonte për pushim. Ndërkohë që vetë prokurorët e SPAK-ut kanë deklaruar që ka rikualifikim të veprave penale, ka shtim të veprave penale, e theksuan që edhe këto vepra penale mund të çojnë në dënimin e saj me 35 vite.