Në lartësitë mbi 1200 metra në verilindje dhe juglindje, reshjet pritet të jenë në formë dëbore. Duke nisur nga dita e mërkurë dhe deri në fund të javës, parashikohet një përmirësim gradual i motit me largimin e vranësirave dhe rikthimin e kthjellimeve, por kjo do të shoqërohet me një ftohje të mëtejshme të motit, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe gjatë natës.
Vlerat termike do të pësojnë rënie me disa gradë krahasuar me ditët e kaluara. Në zonat malore temperaturat minimale do të zbresin në vlera negative, nga -2°C deri në 0°C, ndërsa maksimalet nuk do t’i kalojnë 8°C.
Në ultësirën perëndimore, përfshirë edhe kryeqytetin, minimalet do të luhaten nga 3°C deri në 6°C, ndërsa vlerat maksimale do të variojnë nga 12°C deri në 15°C. Ndërkohë, në zonat bregdetare moti do të jetë disi më i butë, me minimale rreth 7°C dhe maksimale që pritet të arrijnë deri në 16°C.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi mesatare, por në bregdet pritet të jetë herë pas here e fortë, duke gjeneruar dallgëzim të moderuar në detet Adriatik dhe Jon. Autoritetet dhe meteorologët këshillojnë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në akset rrugore malore për shkak të lagështisë dhe ngricave të mundshme në orët e mëngjesit.