Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banuese në zonën e Prata di Pordenone. Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 11:00 të së dielës, teksa ajo po udhëtonte me tre fëmijë drejt Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e ditëlindjes së dhjetë të nipit të saj.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga autoritetet italiane, automjeti tip Ford Fiesta, për arsye që lidhen paraprakisht me kushtet e vështira të rrugës dhe lagështinë e shkaktuar nga reshjet e shiut, humbi kontrollin në një kthesë, doli nga rruga dhe u përplas fuqishëm me një shtyllë betoni.
Përplasja ishte tepër e rëndë. Shtylla u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të automjetit, i cili përfundoi i përmbysur mbi strukturën e betonit.
Emanuela Shahini mbeti e bllokuar brenda automjetit të shkatërruar dhe u nxor nga rrënojat vetëm pas ndërhyrjes së zjarrfikësve. Pas ndihmës së parë në vendngjarje, ajo u transportua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, ku ndërroi jetë rreth orës 12:30, pak pas mbërritjes.
Tre fëmijë të plagosur
Në automjet ndodheshin edhe tre të mitur: djali gjashtëvjeçar dhe vajza katërvjeçare e viktimës, si dhe një vajzë dhjetëvjeçare, shoqe e tyre.
Sipas raportimeve, fëmijët arritën të dilnin vetë nga automjeti pas përplasjes. Vajza katërvjeçare u transportua me helikopter drejt spitalit në Udine, ndërsa dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim mjekësor, për shkak të dëmtimeve dhe mavijosjeve të pësuara.
Gjendja shëndetësore e tyre po ndiqet nga ekipet mjekësore.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit, ambulancat, helikopteri mjekësor dhe karabinierët e kompanisë së Sacile-s.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe dinamikën e aksidentit, përfshirë edhe verifikimin nëse fëmijët kishin përdorur rripat e sigurimit.
Ngushëllime nga autoritetet lokale
Pas ngjarjes tragjike ka reaguar edhe kryetarja e bashkisë së Prata di Pordenone, Katia Cescon, e cila ka shprehur ngushëllimet në emër të saj dhe të gjithë administratës bashkiake për familjen e 31-vjeçares.
Ajo e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë, duke shprehur një mendim të veçantë për vajzën e vogël të Emanuelës, e cila ndodhet e shtruar në spital, si dhe për të gjithë familjarët dhe të afërmit që po përballen me këtë humbje të parakohshme.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa familja e Emanuelës përballet me dhimbjen e humbjes së një nëne të re, në rrethana tragjike.