Trazira të reja dhe tensione pa kthim duket se kanë mbërthyer Partinë Socialiste. Deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka lëshuar dje një tjetër mesazh me nëntekst të fortë politik drejtuar kryeministrit Edi Rama, i maskuar pas një kartoline idilike pushimesh verore. Teksa ka postuar në rrjetet sociale një foto të vajzës së saj buzë bregut të një lumi për të njoftuar nisjen e gushtit, Spiropali ka shpërthyer me një frazë filozofike që po dridh prapaskenat e mazhorancës: “Gusht të bukur! Mëso nga lumi; pengesat mund ta detyrojnë të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin”, shkruan ish-ministrja Elisa Spiropali
Metafora e “lumit” dhe lufta ndaj virusit “Balluku”
Por në rrethet politike dhe prapaskenat e kampit rozë, kjo gjuha e simboleve po interpretohet si një thirrje e drejtpërdrejtë për kryetarin e PS-së, Edi Rama për të pastruar radhët e partisë nga ai që po etiketohet si virusi “Balluku”. Konkretisht pengesa në rrjedhë, interpretohet si ndikimi toksik, përplasjet e brendshme dhe skandalet që kanë njollosur figurën e mazhorancës. Ndryshimi i rrjedhës, nënkupton lëvizjet taktike, distancimin nga figurat e konsumuara dhe shkarkimet e domosdoshme për t’i ikur presionit publik.
Ndërsa destinacioni i pashmangshëm, mbetet vetëpastrimi i plotë i Partisë Socialiste dhe ruajtja e vizionit fillestar politik. Pra kjo goditje e radhës vjen në një moment mjaft kritik. Pas distancimeve të mëparshme dhe kritikave të hapura ndaj mënyrës se si po menaxhohen dosjet e nxehta brenda partisë, ish-ministrja Spiropali po tregon se nuk ka ndërmend të kthehet prapa. Nëse kjo “rrjedhë lumi” do të fshijë përfundimisht grupet e interesit rreth Ballukut, kjo mbetet për t’u parë në mbledhjet e nxehta të asamblesë rozë dhe Partisë Socialiste që do të mbahen në ditët në vijim.
Përplasja e heshtur në kupolën rozë
Ndërkohë kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali kërkon “kokën” e ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut. Prej disa muajsh, ajo ka lëshuar sinjale të qarta vetëpastrimi, ku rast më i freskët ishte seanca plenare e 23 korrikut. Aty, ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryetarja e Kuvendit shfrytëzoi një replikë me kreun e PD-së, Sali Berisha, për të goditur në mënyrë indirekte, por me tone mjaft të ashpra, rivalen e saj politike, Belinda Balluku.
Në fjalën e saj nga foltorja, Spiropali e bëri të qartë se nuk i druhet asnjë sulmi të orkestruar apo shantazhi pas krahëve. Ajo paralajmëroi se çdo “bedel politik” apo zyrtar që përdor pushtetin për dëmtime personale do të hiqet “si apendicit” nga sistemi. Deklarata e saj u interpretua si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rrethit të Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK për korrupsion e shkelje në tendera, duke i kërkuar PS-së një reformim të thellë, vetëpastrim dhe distancim nga kjo linjë politike.
“Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, për vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën, për nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive, për ndryshimi të sistemi zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot. Njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë dhe nuk ka as dehje ideologjike dhe as asgjë veçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten. Kam folur për institucione shtetërore që instrumentalizohen kundër njërit dhe tjetrit, me besimin e madh që kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë. Dhe unë po ju bëj pyetje, por ju e keni fuqinë?
Po ti Sali e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde? Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie por të gjithëve. Asnjë nga sulmet e asnjë bedel politik nuk më ndal dot te kjo, se nuk kam asgjë për të fshehur, asnjë njeri që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”, deklaroi Spiropali. Ndërsa Berisha e thumboi. “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”, ishte përgjigjja e Berishës.