Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se Turqia po shqyrton mundësinë e organizimit të një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, me synimin për t’i hapur rrugë negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Erdogan bëri të ditur se gjatë vizitës së fundit të Zelenskyt në Turqi, të zhvilluar të shtunën, pati mundësinë të diskutonte gjerësisht mbi konfliktin ruso-ukrainas dhe rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për arritjen e paqes.
“Patëm mundësinë të diskutonim në detaje çështjet që lidhen me luftën në Ukrainë gjatë vizitës së zotit Zelensky në Turqi të shtunën. Madje patëm edhe një drekë pune të përbashkët. I theksuam dhe i shpjeguam zotit Zelensky se marrja e iniciativave diplomatike në fushën e negociatave është jashtëzakonisht e rëndësishme për t’i dhënë fund kësaj lufte midis Rusisë dhe Ukrainës. Si Turqi, ne po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të hapur rrugën për paqe dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha fillimisht presidenti turk.
Kreu i shtetit turk theksoi se Ankaraja mbetet e angazhuar në përpjekjet për të afruar palët dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për rifillimin e dialogut.
I pyetur nëse ekziston mundësia që një takim i drejtpërdrejtë mes Putinit dhe Zelenskyt të zhvillohet në Turqi, Erdogan u shpreh se hapi i radhës do të jetë komunikimi me presidentin rus.
“Pas këtij takimi me zotin Zelensky, tani dëshirojmë të flasim me zotin Putin për të shqyrtuar çështjen edhe nga pala ruse. Ndërkohë, kolegët e mi kompetentë, duke filluar nga Ministri i Punëve të Jashtme, do të bisedojnë me homologët e tyre në mënyrë që ta përgatisin siç duhet palën ruse për këtë takim.”, tha ai.
Sipas deklaratave të Erdoganit, diplomacia turke do të vijojë kontaktet me përfaqësuesit rusë për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të takimit, ndërsa ende nuk ka një datë apo konfirmim zyrtar për zhvillimin e tij.