Sipas njoftimit të saj, Sejdiu po kalonte kufirin së bashku me studentë të tjerë, me të cilët udhëtonte drejt Italisë për të marrë pjesë në aktivitete. Zyrtarët kufitarë e kanë ndarë nga grupi dhe e kanë shoqëruar brenda ambienteve të pikës kufitare, pa paraqitur ndonjë arsye të qartë.
Lëvizja e cilëson shpjegimin e dhënë si të pambështetur dhe fyes, ndërsa trajtimin e Sejdiut e konsideron një tentativë të papranueshme për frikësim dhe presion ndaj tij. Ajo bën të ditur se Sejdiut i është komunikuar që institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë përfshirë në një listë për kontrolle të posaçme, por nuk i është shpjeguar as arsyeja dhe as baza e këtij veprimi.
Për Lëvizjen Studentore, kjo ngjarje krijon dyshime serioze se përfaqësuesit e studentëve po përballen me presion të qëllimshëm nga institucionet, me synimin për t’i trembur studentët dhe për t’i larguar nga kërkesat e tyre legjitime. Sipas saj, ndarja e një përfaqësuesi studentor nga bashkudhëtarët dhe shoqërimi në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa shpjegime të qarta, nuk mund të lihet pa reagim.
Lëvizja u kërkon institucioneve përgjegjëse të bëjnë publike bazën mbi të cilën Besar Sejdiu është futur në këtë listë, arsyet e vendimit dhe personin që e ka marrë atë. Gjithashtu, ajo kërkon përgjigje se kush ka urdhëruar veçimin e përfaqësuesit studentor dhe trajtimin e tij në këtë formë.
Në përfundim të reagimit, Lëvizja thekson se kushdo që beson se ndalimet në kufi, presionet apo mënyrat e frikësimit mund t’ua shuajnë zërin studentëve, gabon rëndë. Ajo shprehet se studentët do ta vazhdojnë angazhimin për kërkesat e tyre me më shumë forcë, organizim dhe vendosmëri.