Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim nga autoritetet gjermane, ndërsa lajmi ka tronditur familjarët dhe të afërmit e të riut.
Në një rrëfim për emisionin “Me zemër të hapur”, halla e 28-vjeçarit ka treguar se ai qëndronte prej rreth një viti e gjysmë në kamp dhe shprehte vazhdimisht dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri.
Sipas saj, procedurat për kthimin e tij ishin zvarritur për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit. Ajo pretendon se pasaporta e të riut ishte vjedhur nga persona me të cilët shoqërohej dhe se, për këtë arsye, disa afate për kthimin e tij ishin shtyrë.
Halla tregoi se ditën e ngjarjes kishte komunikuar me të, por biseda kishte qenë e shkurtër dhe familjarët kishin vënë re se ai nuk dukej mirë.
Ajo tha se 28-vjeçari ishte natyrë e mbyllur dhe nuk fliste shumë për problemet e tij, ndërsa përsëriste se dëshironte të kthehej në vendlindje.
Familjarja deklaroi gjithashtu se i riu pritej të paraqitej në gjykatë më 23 nëntor, ndërsa përmendi edhe mundësinë e vetëvrasjes, pa dhënë ndonjë konfirmim për rrethanat e vdekjes.
Në fund, ajo bëri apel për ndihmë institucionale për kthimin e trupit të të riut në Shqipëri. Sipas saj, babai i 28-vjeçarit kishte marrë borxh 5 mijë euro për të përballuar shpenzimet e riatdhesimit.
Ndërkohë, autoritetet gjermane po hetojnë rrethanat e ngjarjes.