Ngjarja ka ndodhur në orët e para të 17 nëntorit, në rrugën “Carr Bottom Road”, në zonën Little Horton. Policia është njoftuar rreth orës 01:40, pas raportimeve se dy gra ishin sulmuar rëndë nga një burrë brenda shtëpisë.
Ekipet emergjente kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dy gratë me lëndime serioze. Pavarësisht ndërhyrjes, 46-vjeçarja Tahira Hussain është shpallur e vdekur në banesë, ndërsa 20-vjeçarja është dërguar me urgjencë në spital, ku vazhdon të marrë trajtim për lëndimet e rënda.
**26-vjeçari akuzohet për vrasje dhe tentim vrasje**
Në lidhje me rastin, policia ka arrestuar Bilal Ajmal, 26 vjeç, nga Bradfordi. Më 19 nëntor, ndaj tij janë ngritur akuza për vrasjen e Tahira Hussain dhe tentim vrasjen e 20-vjeçares.
Sipas Policisë së West Yorkshire, hetimet po zhvillohen nga ekipi për vrasje dhe hetime të rënda, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit.
Inspektori kryesor detektiv Michael Cox ka deklaruar se bëhet fjalë për një incident jashtëzakonisht serioz, duke shtuar se policia po përdor të gjitha burimet e nevojshme për hetimin.
Ai ka bërë të ditur se familjarët e viktimave po mbështeten nga zyrtarë të specializuar, ndërsa patrullimet policore në zonë janë shtuar për të qetësuar banorët.
Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve dhe personave që mund të kenë informacione apo pamje nga zona, rreth orës 01:40 të 17 nëntorit, që të bashkëpunojnë me hetuesit.
**Rasti ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.**