Paraburgimi është caktuar ndaj Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së viktimës, Driton Sylajt, ish-kunatit të saj, si dhe Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.
Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale”.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të së ndjerës, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytja në vrasje të rëndë”.
Dyshimet për koordinim dhe përcjellje të viktimës
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohet se kishin përcjellë lëvizjet e Arlinda Zekajt, duke siguruar fotografi dhe video të saj, të cilat, sipas organit të akuzës, ishin shkëmbyer në kuadër të një koordinimi paraprak.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Nurije Sylaj kishte qenë e pranishme gjatë sulmit ndaj viktimës, pa ndërmarrë veprime për ta penguar atë, ndërsa më pas dyshohet se kishte tentuar të devijonte hetimet përmes deklaratës së saj.
Në anën tjetër, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se kishin ndihmuar Albert Sylajn që t’i shmangej arrestimit nga organet e rendit.
Prokuroria pretendon se telefonat zbuluan komunikime kërcënuese
Nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar, Prokuroria pretendon se janë zbuluar komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një të miture.
Sipas organit të akuzës, komunikimet ndërmjet Nurije dhe Driton Sylajt tregojnë se shqetësimi i tyre kryesor dyshohet të ketë qenë zbulimi i përfshirjes së tyre në këtë ngjarje, e jo vetë vrasja e Arlinda Zekajt.
Prokurori Armend Hamiti kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët, pengimit të procedurës penale dhe përsëritjes së veprave penale.
Vrasja në Vitomiricë dhe zgjerimi i hetimeve
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për vrasjen është Albert Sylaj.
Familja e viktimës përfaqësohet nga avokati Besnik R. Berisha, i cili një ditë më parë kishte paralajmëruar zgjerimin e hetimeve, duke ngritur dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në veprime kriminale para, gjatë dhe pas vrasjes.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa dyshimet dhe pretendimet e Prokurorisë mbeten pjesë e procedurës penale dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar të fajësisë.