Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij do të vijojë operacionet ushtarake me intensitet të plotë, duke theksuar se ofensiva nuk do të ndalet derisa të eliminohen të gjitha kërcënimet ndaj sigurisë.
Në një reagim në platformën X, ai përshëndeti operacionet e fundit të ushtrisë izraelite, duke njoftuar se është vrarë Majid Khatemi, i identifikuar si kreu i inteligjencës së Gardës Revolucionare iraniane (IRGC).
Netanyahu konfirmoi gjithashtu eliminimin e Yazdan Mir, i njohur si “Sardar Bagheri”, drejtues i Njësisë 840 të forcës Quds, për të cilin tha se ishte i përfshirë në organizimin e sulmeve ndaj hebrenjve dhe izraelitëve në mbarë botën.
Duke justifikuar operacionet, ai deklaroi se: “Çdokush që përpiqet të vrasë qytetarët tanë, kushdo që drejton terror kundër Izraelit, kushdo që ndërton boshtin iranian të së keqes, mban vetë përgjegjësi për gjakun e derdhur”.
Kryeministri izraelit theksoi gjithashtu vendosmërinë e ushtrisë. “Ne veprojmë me forcë dhe vendosmëri dhe do të arrijmë këdo që kërkon të na dëmtojë”, u shpreh ai.
Netanyahu paralajmëroi se operacionet do të vijojnë pa ndërprerje, duke shtuar se “Do të vazhdojmë me forcë të plotë, në të gjitha frontet, deri sa kërcënimi të eliminohet dhe të arrihen të gjitha objektivat e luftës”.