Pas 26 vitesh, Izraeli është rikthyer të kontrollojë zona të gjera në jug të Libanit. Në këto territore kanë mbetur pak civilë, me përjashtim të disa fshatrave të banuara kryesisht nga komunitete të krishtera.
Në një prej këtyre zonave, një ushtar izraelit është fotografuar duke goditur me një mjet të fortë një statujë të Jezu Krishtit të kryqëzuar. Ngjarja ka nxitur reagime të menjëhershme.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka nisur një hetim për rastin. Sipas një zëdhënësi të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cituar nga ANSA, ushtari është identifikuar dhe rezultatet e hetimit do të bëhen publike pas përfundimit të tij.
Qeveria izraelite ka dënuar veprimin, ndërsa ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, e cilësoi atë si “akt dhune ndaj të krishterëve”.
Asambleja e Ordinariatit Katolik të Tokës së Shenjtë shprehu “indinjatë të thellë” dhe “dënim pa rezerva” për përdhosjen dhe shkatërrimin e figurës së Krishtit të kryqëzuar. Në një deklaratë të nënshkruar nga kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriark latin i Jeruzalemit, ngjarja cilësohet si një “fyerje e rëndë ndaj besimit të krishterë” dhe lidhet me “raste të tjera të raportuara të përdhosjes së simboleve të krishtera”.
Asambleja thekson gjithashtu një “dështim shqetësues në formimin moral dhe njerëzor” dhe rikujton thirrjen e Papa Leos për një paqe “të çarmatosur dhe çarmatosëse”.