Sipas zyrtarëve dhe analistëve, presioni i luftës ka përqendruar pushtetin real në një rreth të ngushtë rreth Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, zyrës së udhëheqësit suprem dhe kryesisht Trupave të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), që tashmë dominojnë si strategjinë ushtarake ashtu edhe vendimet kryesore politike.
Dy muaj pas fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Irani shfaqet pa një udhëheqës suprem fetar të padiskutueshëm, ndërsa pushteti zhvendoset drejt Gardës Revolucionare, një zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në qëndrimin e Teheranit në kontaktet me Uashingtonin.
Vrasja e udhëheqësit suprem Ali Khamenei në ditën e parë të përplasjeve dhe ngritja e djalit të tij të plagosur, Mojtaba Khamenei, shënuan një ndryshim rrënjësor në strukturën e pushtetit të Republikës Islamike. Edhe pse formalisht ndodhet në krye, Mojtaba raportohet se kufizohet në miratimin e vendimeve të marra nga ushtarakët dhe organet institucionale, pa ushtruar drejtim të drejtpërdrejtë.
“Marrëveshjet e rëndësishme ka të ngjarë të kalojnë përmes tij”, deklaroi analisti iranian Arash Azizi, “por nuk mund ta imagjinoj të anashkalojë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Si mund t’u kundërvihej atyre që drejtojnë luftën?”.
Sipas zyrtarëve dhe analistëve, presioni i luftës ka përqendruar pushtetin real në një rreth të ngushtë rreth Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, zyrës së udhëheqësit suprem dhe kryesisht Trupave të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), që tashmë dominojnë si strategjinë ushtarake ashtu edhe vendimet kryesore politike.
“Iranianët janë jashtëzakonisht të ngadaltë në përgjigjet e tyre. Nuk duket se ekziston një strukturë e unifikuar vendimmarrjeje”, tha një zyrtar i lartë pakistanez që është informuar për negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Araghchi dhe Ghalibaf në diplomaci, por fjalën e fundit e ka komandanti i Gardës
Në nivel diplomatik, Irani përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa rol të rëndësishëm luan edhe kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ish-komandant i Gardës. Megjithatë, në terren, figurë qendrore konsiderohet komandanti i Gardës, Ahmad Vahidi, i cili raportohet se ka pasur rol vendimtar edhe natën e shpalljes së armëpushimit.
Teherani ka paraqitur një propozim të ri ndaj Uashingtonit, i cili parashikon bisedime graduale me shtyrjen e diskutimit për programin bërthamor deri në përfundimin e luftës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për lundrimin në Gjirin Persik. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, këmbëngulin që çështja bërthamore duhet të vendoset në tryezë që në fillim.
Analisti Alan Eyre vlerëson, duke folur për Reuters, se asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet. “Të dyja palët besojnë se koha punon në favorin e tyre”, theksoi ai, duke nënvizuar se Irani mbështetet në ndikimin e tij gjeostrategjik në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-të mbështeten te presioni ekonomik.
Ndryshimi në strukturën e pushtetit
Struktura e re e pushtetit në Iran pasqyron një zhvendosje më të thellë nga udhëheqja fetare drejt mekanizmit ushtarak. Në praktikë, ideologjia e Gardës përcakton strategjinë dhe vendimmarrja mbetet në mënyrë të qëndrueshme në duart e tyre. Me vendin në luftë dhe Ali Khamenei jashtë skenës, asnjë aktor brenda sistemit nuk ka fuqinë apo mundësinë t’u rezistojë, edhe nëse do ta dëshironte, sipas personave që kanë akses në diskutimet e brendshme. Zgjedhja me të cilën përballet udhëheqja iraniane nuk është më midis politikës së moderuar dhe asaj të ashpër, por midis një vije të ashpër dhe një edhe më të ashpër.
“Kaluam nga autoriteti hyjnor te fuqia e fortë”, komentoi ish-negociatori amerikan Aaron David Miller, duke theksuar dominimin e Gardës Revolucionare. “Nga ndikimi i klerikëve te ndikimi i Trupave të Gardës së Revolucionit. Kështu qeveriset Irani”, shtoi ai.
Pavarësisht presionit të fortë ushtarak dhe ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, sistemi i pushtetit në Iran paraqitet koheziv, pa çarje të dukshme apo shenja të një kolapsi të brendshëm. Vendimet merren tashmë në mënyrë kolektive nga institucionet e sigurisë, me Mojtaba Khamenei që vepron si një nyje koordinuese.
Sipas analistëve, është formuar një strategji e qartë: shmangia e një lufte të përgjithshme, ruajtja e fuqisë negociuese dhe dalja nga konflikti me një pozicion të forcuar politik dhe ushtarak.