Donald Trump kërcënoi se Irani do të “hidhet në erë nga faqja e dheut” nëse anijet amerikane sulmohen në Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të forta ushtarake ndaj Iranit nëse anijet e tyre sulmohen në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit global të energjisë.
Në një intervistë për FOX News, ai theksoi se SHBA disponon kapacitete të avancuara dhe të shpërndara globalisht, të gatshme për t’u përdorur në çdo moment.
“Kemi më shumë armë dhe municione në një nivel shumë më të lartë se sa kishim më parë. Kemi pajisjet më të mira. Kemi baza në të gjithë botën dhe të gjitha janë të pajisura me pajisje. Mund t’i përdorim të gjitha këto gjëra dhe do t’i përdorim, nëse na duhen.”-u shpreh Trump.
Deklaratat vijnë në një kontekst përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme, pas raportimeve për sulme me raketa dhe dronë të lidhura me Iranin në rajon, përfshirë incidente që kanë ndikuar edhe në trafikun ajror dhe detar.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), forcat amerikane kanë ndërhyrë për të neutralizuar kërcënimet e menjëhershme. Admirali Brad Cooper deklaroi se janë shkatërruar gjashtë mjete të vogla detare iraniane dhe janë kapur raketa dhe dronë të lëshuar nga Teherani. Ai shtoi se forcat iraniane janë paralajmëruar të qëndrojnë larg aseteve ushtarake amerikane, ndërsa operacionet në rajon vijojnë.
Ndërkohë, tensionet janë reflektuar edhe në terren. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, autoritetet raportuan sulme me dronë dhe raketa që i atribuohen Iranit, përfshirë një goditje ndaj një kompleksi industrial të naftës në Fujairah, ku shpërtheu një zjarr i madh.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve bëri të ditur se katër raketa u lëshuan nga territori iranian, tre prej të cilave u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa një tjetër përfundoi në det pa shkaktuar dëme. Sistemet mbrojtëse ndërhynë gjithashtu për të kapur dronët në hapësirën ajrore.
Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Emergjencave aktivizoi alarmet për popullsinë, duke sinjalizuar një kërcënim në zhvillim. Në një njoftim të mëvonshëm, autoritetet deklaruan se situata është vënë nën kontroll dhe aktivitetet normale mund të rifillojnë.
Zhvillimet në Gjirin Persik tregojnë një situatë të brishtë sigurie, ku çdo incident rrezikon të ndikojë në stabilitetin rajonal, si dhe në tregjet globale të energjisë dhe transportin ndërkombëtar.