Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit në SHBA, ku një avion i kompanisë Frontier Airlines, i cili po bëhej gati për fluturimin drejt Los Angelesit, u përfshi nga flakët gjatë procedurave të ngritjes.
Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se një person është zvarritur në pistë gjatë momentit të incidentit, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15 me orën lokale. Piloti njoftoi kullën e kontrollit se një nga motorët kishte marrë flakë dhe se tymi kishte hyrë brenda kabinës së avionit, çka solli aktivizimin e menjëhershëm të procedurave të emergjencës.
Përmes rrëshqitëseve të emergjencës u evakuuan të gjithë 224 pasagjerët dhe 7 anëtarët e ekuipazhit. Në pamjet e publikuara nga aeroporti shihen momentet e panikut në pistë, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynin për neutralizimin e situatës.
Kompania Frontier Airlines bëri me dije se po bashkëpunon me autoritetet aeroportuale dhe hetuesit për të sqaruar shkakun e incidentit dhe çdo detaj që lidhet me personin e përfshirë në pistë. Fluturimi me avionin Airbus A321 drejt Los Angelesit u anulua për mbrëmjen dhe u riprogramua për mëngjesin e së shtunës.
Fatmirësisht nuk raportohet për viktima mes pasagjerëve, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar si ndodhi incidenti që shkaktoi alarm në aeroportin amerikan.